Ndërkohë që një grup i madh intelektualësh dhe ambjentalistësh të kryeqytetit po merren me prerjen masive të 7 mijë metrave katrorë në pjesën e Parkut Kombëtar pranë rrugës së Elbasanit, një ngjarje e rrallë ka ndodhur…në qendër të Tiranës.
E mbani mend lisin e madh në lulishten e oborrit të Galerisë Kombëtare të Tiranës? Nuk ekziston më! E kanë prerë këto ditë deri në rrëzë, – si i thonë fjalës. Në vend të lisit madhështor me kurorën “që bënte hije për 100 burra” (në foton lart duket në cepin e djathtë) tani eshtë vetëm një mbetje trungu disa centimetra mbi tokë. E kanë prerë aq afër sipërfaqes së tokës sa duket sikur kanë dashur të fshijnë çdo gjurmë të tij.
Tiransit e vjetër e njohin si “Lisi i Et’hem Beut”. Thonë që ka (që kishte!!) një moshë rreth 200 vjeçare, dyfishin e moshës së shtetit shqiptar. Pse e prenë dhe kush e preu? Ndoshta dikush do japë një përgjigje këto ditë. Ose jo…