Anjeza, një justifikim i ëmbël për dështimin tonë social!

Shënim/ Pasqyre.al

Qysh mbrëmjen e djeshme, pas videos së dhunës në një kopësht privat transmetuar nga emisioni Stop në Tv Klan, në rrjetet sociale ka plasur një histeri më e keqe se dhuna e Anjeza Shabanit ndaj fëmijës 3 vjeçar. Nuk ka mbetur asnjë njeri pa dhënë opinion, pa dënuar, pa u shokuar, pa shkulur flokët, çjerrë fytyrën, pa bërë gati pushkën. Aq e tmerrshme ishte gjithë kjo panoramë sa e vetmja zgjidhje ishte hapja sa më pak e Facebook dhe mediave online
Pas shokimit dhe mllefit në çastet e para, siç ndodh rëndom në ngjarjet e ditës në Shqipëri, të cilat fryhen mjeshtërisht nga mediat online, aq sa të duket se ka plasur lufta, fillojnë analizat e thelluara. Nis ndëshkimi masiv i vetvetes si popull. Komentet janë të tipit “ja ç’kafshë jemi, ç’monstra kemi rritur”…etj, duke krijuar kështu një atmosferë të tendosur, nervoze, deprimuese. E njëjta situatë paraqitet në kafe, në zyra, në familje, ngado nga është  dëgjuar lajmi.
Pasi mbaron faza e sharjes, ndëshkimi i vetvetes sesi ne nuk bëhemi, nis faza më interesante ajo e urrejtjes fare ndaj Shqipërisë dhe çdo gjëje shqiptare. Madje komentet arrijnë në ekstreme duke u vetëshpallur toka e ferrit. Gjithmonë me bindjen e paepur se jashtë shtetit  është kopshti i Edenit. Këtu pastaj lexon lloj-lloj çudirash, njerëz që fajësojnë vendin për jetën e tyre, pse s’kanë punë, pse s’kanë gjetur burrë se meshkujt duan femra si Anjeza e plot çudira të tjera. Kjo është pjesa më interesante e reagimit, pasi përgjithësisht ose i hidhet pak erëz politike,  ose vjen nga ata njerëz që tek ngjarje të tilla gjejnë litarin e të mbyturit për të justifikuar dështimet e tyre dhe endjen kafeneve pa bërë asgjë po duke komentuar gjithçka. Sigurisht autorja e videos meriton ndëshkimin sipas ligjit dhe sigurisht edhe shqetësimi i prindërve është i justifikuar, por nuk duhet të harrojmë që këto gjëra nuk ndodhin vetëm në Shqipëri. Në shumë spitale në botë, apo edhe dado në shtëpi, në shkolla janë kapur raste ekstreme të dhunës ndaj të miturëve. Dhunë, e cila shpesh është shumë më e madhe në shifra në rastet e ushtruara nga vet familja, në forma të ndryshme fizike apo psikologjike. Ndaj kjo histeria se ngjarje të tilla dhe Anjeza të tilla lindin vetëm në Shqipëri duhet të na kursehet, edhe pse Shqipëria është vend i vogël e  njihemi me njëri-tjetrin.
I fundit, është morali që bëhet në çdo rast dhune që bëhet publik. Është një llomototje e kotë, nga njerëz që vet nuk njohin tolerancë, që komunikojnë egër, që harxhojnë energji pafund si të fundosin dikë, njerëz që kanë dështuar si individ socialë, si qënie sociale dhe që transmetojnë online një dhunë shumë më të madhe se ajo që shfaqej në video.
Fakti sesi ne reagojmë ndaj fenomeneve rasteve të tilla, dhuna e madhe që transmetojmë edhe pse bëhet fjalë për raste kaq delikate nuk thotë asgjë më shumë se ne si shoqëri jemi ende të kompleksuar, frustuar dhe me inat ndaj gjithë botës. Ne e bëjmë mikun armik për një fjalë goje, ta numërojmë në lule të ballit për një shikim, për një fjalë, ne rrahim gratë, fëmijët, nusja vjehrrën, vjehrra nusen, vëllai motrën etj. Anjeza bëri  një akt dhe tashmë është një çështje që i përket ligjit,0 po për këtë dhunën tonë të përditshme si duhet t’ia bëjmë? Kush do na shpëtojë nga njëri-tjetri?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *