“Xhulieta pa Romeon” dhe imazhet e të humburve

“Xhuljeta pa Romeon”

Një dashuri që nuk mund të realizohet deri në fund, për shkak të rrethanave, ka sjellë në qendër balerinët Teuta Krasniqi e Fatmir Smani, që bëjnë subjektin e shfaqjes së baletit “Xhuljeta pa Romeon”, e cila ka ardhur premierë nën titullin “Dashuria pret përgjithmonë”, nga koreografi Darrel Toulon. Për realizimin e shfaqjes ai është frymëzuar edhe nga fotografitë e personave të pagjetur që ishin të varura në rrethojën e Kuvendit të Kosovës. Për Toulon kjo nuk është shfaqja e parë që e punon me Baletin e Kosovës. “Your stories, my stories” në skenën e TKK-së ishte ngjitur nën koreografinë e tij, nga edhe ka zënë fill shfaqja e baletit, e dhënë premierë në mbrëmjen e së mërkurës.

“Xhuljeta pa Romeon”, është si vazhdimësi e “Your stories, my stories”, të cilën Darrel Toulon e ka realizuar duke u mbështetur në rrëfimet e balerinëve për luftën e fundit të Kosovës. Kur po realizonte këtë shfaqje, kishte krijuar një skenë dashurie fiktive mes balerinëve Teuta Krasniqi e Fatmir Smani. “Mendoj që si koreograf duhet të jesh plotësisht i sinqertë me lëvizjet, trupin, emocionet, ato që thua dhe mënyrën se si i prezanton”, ka thënë Toulon, duke shtuar se në këtë shfaqje ka vënë një vizion të tij tejet personal. “‘Xhuljeta pa Romeon’ është inspiruar edhe nga fotografitë e personave të pagjetur që janë të varura në rrethojën e Kuvendit të Kosovës”, ka treguar koreografi nga Austria.

Duke treguar për lidhjen e dy shfaqjeve të baletit nën koreografinë e Darrel Toulon, Teuta Krasniqi thotë se e dyta është një shfaqje që kërkon shumë emocion. “Në shfaqjen e parë që kemi punuar me Darrel Toulon të gjithë kemi rrëfyer historitë tona se çka ka ndodhur gjatë luftës. Edhe e dyta është pak a shumë e njëjta, për të zhdukurit që ende nuk i kanë gjetur familjarët”, ka thënë Krasniqi, për shfaqjen ku lëvizjet e balerinëve janë shoqëruar me muzikë të Gabriel Prokofiev, Dave Grusin, Kally Save dhe kompozitores Donika Rudi.

“Your stories, my stories” e cila është shfaqur në “Schauspielhaus Graz” në Graz të Austrisë, i ka hapur dyert për “Xhuljeta pa Romeon”, titulli i të cilës ngjason me tragjedinë e famshme të William Shakespeare, “Romeos e Xhulietës”, por edhe fundit të historisë së dashurisë që bart shfaqja.

“‘Xhulieta pa Romeon’ është punuar enkas për Festivalin në Graz, një festival ky me traditë prej 25 vjetësh, në të cilin do të marrë pjesë edhe Kosova”, ka thënë Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës, duke shtuar se suksesi që kanë pasur më herët me “Your stories, my stories” ka bërë që t’i thërrasin përsëri në Graz, ku do të marrin pjesë me “Xhuljeta pa Romeon”. “Nga janari i vitit të ardhshëm Trupa e Baletit dhe ajo e Grazit do të ketë një shfaqje të përbashkët”, ka treguar Ahmet Brahimaj.(Koha Ditore)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *