Dihet mirë se shkencëtarët janë një lloj vërtetë i çuditshëm. Në fund të fundit, duhet të jesh pakëz ndryshe për të ndjekur ide, tek të cilat askush tjetër nuk beson. Shumë shkencëtarë kanë patur personalitete ekscentrikë ose të ashpër, ndërkohë që të tjerët ishin dijetarë që nuk mundeshin t’i kuptonin limitet e mendjeve të ngushta të njerëzve të tjerë. Dhe shumë prej tyre kanë shkuar shumë larg në kërkimin e dijes, me rezultate herë të frikshëm, e herë qesharakë.
Mos fasulet!
Mund të falënderoni matematicienin grek, Pitagorën, për atë themelin e gjeometrisë, që është Teorema e Pitagorës. Por disa prej ideve të tij nuk i kanë rezistuar testit të kohës. Për shembull, Pitagora përqafoi një filozofi të vegjetarizmit, por një prej parimeve të tij ishte ndalimi tërësor, qoftë edhe për të prekur, i fasuleve. Sipas legjendës, fasulet mund të fajësohen pjesërisht për vdekjen e Pitagorës. Pasi u ndoq nga shtëpia e tij prej atyre që e sulmonin, ai mbërriti në një fushë me fasule, ku thuhet se vendosi që, më mirë të vdiste se sa të hynte në fushë – dhe ata që i ishin vënë pas e arritën dhe i prenë fytin.
Kur duhet të ikësh…
Astronomi danez i shekullit 16, Tycho Brahe ishte një fisnik i njohur për jetën e tij ekscentrike dhe vdekjen po të tillë. Ai e humbi hundën në një duel në kolegj, dhe prej atëherë mbante një metalike. Dhe i pëlqenin shumë festat: Ai kishte ishullin e tij, dhe i ftonte shokët në kështjellë për festa të egra. Ai sigurohej që mysafirët të shihnin një dre që kishte zbutur, dhe një xhuxh me emrin Jepp shërbente si gaztor, ulej përherë nën tryezë, ku Brahe i hidhte herë pas here copa ushqimesh. Por dashuria për festat mund t’i ketë sjellë vdekjen. Në një banket në Pragë, Brahe këmbënguli që të rrinte në tavolinë edhe kur kish nevojë të shkonte në banjë të urinonte, për shkak se largimi nga tryeza do të ishte shkelje e etiketës. Gjëja e gabuar sepse pësoi një infeksion në veshkë dhe fshikëza i shpërtheu 11 ditë më vonë, në vitin 1601.
Heroi i palëvduar
Nikola Tesla ka qenë një prej heronjve të palëvduar të shkencës. Ai mbërriti në Amerikë në vitin 1884 dhe shkoi menjëherë të punojë për Tomas Edisonin, duke sjellë shpikje të mëdha në radio, robotikë dhe elektricitet, për disa prej të cilave meritën e mori Edisoni. Por Tesla nuk ishte vetëm impulsiv në kërkimet e tij shkencore. Me shumë gjasë ai ka patur edhe çrregullime kompulsive (OCD), pasi refuzonte të prekte çdo gjë që ishte qoftë edhe pakëz e pistë, të prekte flokë, vathë perlash. Veç kësaj, ai u fiksua me numrin 3, teksa i vinte rrotull një ndërtese tre herë, para se të hynte në të. Dhe në çdo vakt, ai përdorte 18 shami për të pastruar enët e kuzhinës, deri sa të shndrrinin.
Profesori i hutuar
Verner Heisenberg mund të jetë fizikani dhe teoricieni brilant, me kokën mbi re. Në vitin 1927, zi zhvilloi të famshmit ekuacione të pasigurisë të përfshirë në mekanikën kuantike, rregullat që shpjegojnë sjelljen në shkallë të vogla të thërrmijave të vogla nënatomike. Megjithatë, ai për pak dështoi në provimin e doktoraturës, sepse nuk dinte pothuaj asgjë për teknikat eksperimentale. Kur një profesor skeptik e pyeti se si funksiononte një bateri, ai as nuk e kishte idenë.
Dijetari mendjepjellor
Fizikani Robert Oppenheimer ishte një dijetar, që fliste rrjedhshëm tetë gjuhë dhe i interesuar në një gamë fushash, duke përfshirë poezinë, gjuhësinë dhe filozofinë. Si rezultat, Oppenheimeri ndonjëherë kishte telashe në të kuptuarit e limiteve të të tjerëve. Për shembull, në vitin 1931 ai pyeti një koleg të Universitetit të Kalifornisë, Leo Nedelsky që t’i përgatiste një leksion, duke i thënë se do të ishte e kollajtë për arsye se gjithçka ndodhej në një libër që i kish dhënë Oppenheimeri. Më pas, kolegu erdhi i shastisur sepse libri ishte i gjithi në gjuhën holandeze. Përgjigja e Oppenheimerit? “Por është holandezçe e lehtë!”.
Dokumentuar në vdekje
Arkitekti dhe shkencëtari Buckminster Fuller është më i famshëm për shkak të krijimit të kubesë gjeodezike, vizione fantastiko-shkencorë të qyteteve futuristikë dhe një makinë që e quajti Dymaxion, në vitet 1930. Por Fulleri ishte edhe pak ekscentrik. Ai u bë i famshëm sepse mbante tre orë për të parë kohën në zona të ndryshme orare, teksa fluturonte përreth globit dhe kaloi shumë vite duke fjetur vetëm dy orë gjatë natës, të cilit i vuri emrin gjumi Dymaxion. Por gjeniu kaloi shumë kohë duke bërë kronikën e jetës së tij. Nga 1915 deri në 1983, kur vdiq, Fulleri mbajti një ditar të detajuar të jetës së tij që e përditësonte në intervale 15-minutëshe. Regjistri, kronodosjet e Dymaxionit, të vendosura në një raft të gjatë 82 metra dhe ndodhet në Universitetin e Stanfordit.
Matematicieni i pastrehë
Paul Erdos ishte një teoricien hungarez i numrave që ishte kaq i përkushtuar në punën e tij, saqë nuk u martua asnjëherë, jetoi vetëm me një valixhe, dhe shpesh herë u shfaqej kolegëve tek pragu pa lajmëruar, duke thënë “Mendja ime është e hapur”, dhe pas kësaj punonte me problemet për një apo dy ditë, përpara se të vazhdonte më tej. Në vitet e fundit të jetës ai pinte shumë kafe dhe merrte pilula kafeike si dhe amfetamine, për të qëndruar zgjuar, duke punuar 19-20 orë në ditë. Foksui i tij u duk se i solli shpërblim: Matematicieni botoi afro 1500 studime të rëndësishme, dhe tani matematicienët llogarisin “numrin Erdos”, një shifër e “gjashtë shkallë ndarje” që përshkruan se sa njerëz duhen për të të lidhur ty me studimin e Paul Erdos.
Shakatë e fizikanit
Ruchard Feynman ishte një prej fizikanëve më të famshëm dhe të ditur të shekullit 20, ai u përfshinë Projektin Manhatan, përpjekja super e fshehtë e Amerikës për të ndërtuar bombën atomike. Por ai ishte edhe shakaxhi i madh. I mërzitur në Projektin Manhatan në Los Alamos, ai e kalonte kohën duke përzgjedhur kyçe dhe hapur kasaforta për të treguar se sa kollaj mund të hapeshin. Rrugës drejt zhvillimit të teorisë së elektrodinamikës kuantike që i dha çmimin Nobel, ai rrinte me vajza të shoubizit në Las Vegas, do të bëhej ekspert në gjuhën e Majave etj.
Orendi të rënda
Matematicieni britanik dhe inxhinieri elektrik Oliver Heaviside zhvilloi teknika komplekse matematikore për të analizuar qarqet elektrike dhe zgjidhur ekuacione diferenciale. Por gjeniu konsideorhej një gjë e rrallë nga një prej miqve të tij. Inxhinieri vendoste në shtëpi blloqe të mëdha graniti, i lyente thonjtë me ngjyrë të purpurt, kalonte ditë të tëra duke pirë vetëm qumësht dhe mund të ketë vuajtur nga hipergrafia, një gjendje e trurit që shkakton një nevojë të fortë për të shkruajtur. /bota.al