“Vend i vogël, shpresë e madhe” titullohet artikulli i Roman Deininger me foto të Jakob Berr. Një Reportazh nga Shqipëria i “Sudeutsche Zeitung” pyet nëse mundet të shpjegosh botën me anë të futbollit? Çartje. Ta kuptosh më mirë të vuajturën, të paepurën Shqipëri me anë të futbollit? Le të bëjmë një provë. Një rrugëtim nëpër një vend që prej shumë kohësh pret të zbulohet.
Arian Leka është njeri i fjalës, shkrimtar, por kur rrëfen i pëlqen të marrë për ndihmë edhe duart, të dyja. Me gjunjë e manovron japonezen e tij të vjetër nëpër trafikun e dendur të rrugës gjarpëruese që të zbret nga Durrësi në detin mesdhetar. “Kështu ka qenë gjithnjë në Shqipëri,” thotë Arian Leka. “Prej andej, nga deti na ka ardhur gjithçka. Dora e djathtë e tij që do të bënte mirë të ishte te timoni tregon nga uji, dhe si për siguri edhe e dyta.
Arian Leka, flokët tashmë ngjyrëgri, të gjatë, që teksa nget makinën nganjëherë i bien mbi sy, vetulla, që Theo Waigel do t’ia kishte qethur në çast, ka qenë fëmijë në komunizëm, këtu në qytetin port të Durrësit. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë ishte varianti evropian i Koresë së Veriut, diktatorit, Enver Hoxha, në fillim iu dukën sovjetikët tepër liberalë, pastaj edhe kinezët. Në portin e Durrësit anijet vetëm natën fikeshin, për të ruajtur terrin, izolimi ishte i plotë. “Por unë kisha një dritare për të parë botën”, thotë Arian Leka duke shtyrë me forcë derën e makinës. “Një dritare gjigande”.
Në plazhin e Durrësit, si djalë i ri, kolensiononte sendet që nxirrte deti, një kanoçe Coca-Cola, një shishe “Heineken”, një kuti të metaltë “Marlboro”. Këto ishin trofe, ushqim i përmallimit. Padyshim, deti ishte muri i burgut shqiptar, por ish më shumë se kaq, një premtim. Që diku matanë, tej horizontit, shtrihej bota e ndaluar, në të cilën ka xhinse, ka vajza të veshura me xhinse, dhe vajza të veshura me xhinse nëpër makina sportive. Dhe sidomos: diku tej horizontit luante Bari kundër Napolit, Bavaria kundër Gladbach-ut, Barça kundër Realit.
“Futbolli”, thotë Arian Leka, “ka qenë gjithnjë një pjesë e rëndësishme e fantazisë sonë. Futbolli për ne ishte një copë liri.”
Të shpjegosh botën me futboll? Çartje. Ta kuptosh pak më mirë me ndihmën e futbollit këtë Shqipëri të vuajtur, të vogël, krenare? Le të bëjmë një provë sërish.
Arian Leka pyet: “Çfarë mendojnë gjermanët, kur mendojnë për shqiptarët?”
Obobo. Mirë atëherë: “Azilkërkues, për të cilët kemi ngritur ca qendra dëbimi të shpejtë, fringo fare. Korrupsion. Tregti me njerëz. Krim përgjithësisht. Varfëri. Gjakmarrje. Karl May natyrisht, “Toka e Skipetarëve”, një tokëzë e mjerë. Diçka të këndshme? Hëm. Altin Rraklli, trupvogli nga Unteraching! Igli Tare, trupmadhi nga Kaiserlautern!
“E sheh”, thotë Arian Leka butë. “Futboll.” Sytë e tij pushojnë mbi valë. “Ne kemi pritur të na zbulonin. Por askush nuk edhi. Ende jemi në pritje.” (GSH)
Përktheu: Anila Shuka