Zëri i qumështit (Një takim me Ernesto Sabaton)

In memoriam për Ernesto Sabato

Luan Rama
«Ja një shqiptar» më tha Sabato
dhe më pushtoi fort, në hollin e hotelit «Le Madison»,
një ditë të djelltë në Saint-Germain-dès-Près,
Ernesto Sabato shkonte për në Shqipëri,
kishte mall për vendin e ëndërruar aq shumë
në sytë e tij, të nënës dhe të gjyshes së tij,
ëndrra me emra brigjesh dhe fjalë shqipe,
“bukë”, jetë”, ”mall”, ”emigrim”
”mama” dhe ai ai i fundit i dhjetê djemve
kanakari nënês qê e mbante si perëndi,
kështu qe përkundur ai atje lart në Rojas,
në mullirin e tê atit, pranë Buenos-Aires,
nëna me një unazë të vjetër në gisht, me inicialet M.S.,
me emrin e fshatit të saj San Marco,
në Magna Grecia të Kalabrisë.
Për të njëmijtën herë Sabato kishte dëgjuar një natë
zërin e ëmbël të nënës së vdekur,
zërin e qumështit,
të qumështit të bardhë që kushedi ku endej
duke spërkatur qiejt,
dhe kështu ai zë e nisi drejt Shqipërisë,
ndali tri ditë në Paris,
të bridhte dhe njëherë në kafenetë e dashura në Montparnasse
dhe Odeonin e rinisë,
atje ku kalonte netë të tëra me Bretonin dhe surrealistët e tjerë,
ku Kiki kërcente me gjinjtë jashtë
mbi tavolinën e kabaresë
dhe ku netëve për të fjetur
mbulohej me gazetat e vjetra të l’Humanité.
Ndërkohë Sabato dhe unë vazhdojmë bisedën tonë
dy shqiptarë të ikur, njëri pesë shekuj shkuar,
shkrimtari më thotë se demokracia e kulluar nuk ekziston,
se stalinistët e quanin reaksionar
dhe reaksionarët komunist,
se bota ka shumë demonë,
më thotë e poetët janë rrebelë që shqetësojnë shtetin
dhe se ai kishte qenë një rrebel i përjetshëm,
pastaj ai ndalon dhe mendon për të ardhmen e botës,
shikon përtej syzeve të errta të tij,
kur drita po e linte, por jo shpirti,
kur shkrimin më së fundi e kishte lënë,
por jo artin,
në botën e tij poetike ai pikturonte
hidhte ngjyrat dhe portretet e personazheve të tij
koha e ngjizur në vlim
në të bardhën e telajos ngjyrë qumështi,
me fytyrën e bukur të Matildës së vdekur,
me sytë e Dostojevskit të dashur e të mjerit Baudelaire,
për të vdekur më pas pranë tablove të tij
nën tingujt e një sonate të Schumann, në Santos Lugares,
pranë romaneve të tij të mëdha
Tuneli, Alejandra, Engjëlli i errësirës,
ai, mbrojtësi i flaktë i të zhdukurve “desaparecidos”,
rrebeli kundër diktaturave që klithte nê shesh “Nunca mas”,
“kurrê më”!
ai që do të rronte përtej kohës
falë Fjalës së lirë, shkrimit…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *