*Luan Rama
Seine është shtatzënë,
duket se shpejt do të lindë,
Seine dergjet në ethe dhe flet përçart,
«Musée du Louvre» dhe «Musée d’Orsay»
nuk guxojnë t’i hapin portat për turistët,
që dje statujat kanë rënë të flenë dhe kushedi kur do zgjohen,
ndoshta nesër, pasnesër, kushedi kur…
Bie shi mbi Seine, ajo do të lindë,
Jupiter Pluvius dhe hyjnia Hyetos
nga qielli hedhin ujë pambarim,
qullur gjer në kockë është ura «Mirabeau»
dhe Seine rrjedh bashkë me kujtimet tona,
Apollinaire është zgjuar dhe ka marrë udhën në këmbë
të takojë Picasso-n në «Closerie de Lilas»,
urat s’kanë më fuqi të ngrenë harqet e tyre
dhe Seine digjet në ethe gjithnjë,
natën vonë ajo përpëlitet dhe përmend përçart
emrat e të vdekurve të mëdhenj, poetë, piktorë, aktorë, lypës,
emigrantë të panjohur dhe dashnorë të pafat
kredhur nga urat mbi të në ditë jermi,
qindra japonezë e kinezë shkrepin aparatet e tyre
mbi barkun e fryrë të Seine-s,
«zuavi» i gurtë i urës «Pont d’Alma» e ka ujin gjer në gjoks,
“ditë qameti”, murmurit ai,
mbi ujë kalojnë me shpejtësi trungje, pemë,
shpendë të vrarë nga vetëtimat,
letra të qullura, shkruar s’dihet kur,
çarçafë të vdekurish dhe copa flamujsh,
qiejt bubullojnë,
por askush nuk e di ku janë orakujt që t’i pyesin,
ndoshta janë rrugës për në Delf…
Nesër kushedi, Seine do të lindë përsëri…
*Buzë Seine-s, 3 qershor 2016