Shënim/ Ankthi ynë kolektiv për seks politikanësh

Një zhgënjim i madh ka pllakosur sot rrjetet sociale,  zyrat e shtetit, baret e kafenet, çdo bisedë të vogli e të madhi: Pse po vonon filmi i radhës me drita të kuqe? Ka një padurim të madh që ndihet në gjithë ajrin e qytetit rreth kësaj ngjarje, e cila pritet të përfshijë në debate të ethshme pastaj gjithë shoqërinë në zonën e ish-bllokut. Disa portale kanë vënë në punë fantazinë e tyre dhe tashmë kanë servirur për vakt mëngjes-drekë-darkë foto të marra nga kanë mundur, të tjerë që kanë qenë më me fat kanë rrëfyer se kanë parë gjëra hata fare në këtë video.
Mezi presim politikanin protagonist që do na gajasë fare. Kjo nuk është një ngjarje dosido. Kjo video do na heq vëmendjen nga gjithë hallet tona, madje thuhet që do i eliminojë ato fare.
Për 3 javë pritet të ketë emisione me supershikueshmëri, që do infektojnë mendjen e të gjithë shqiptarëve në çdo cep të vendit. Sigurisht do ketë moralistë që do flasin për fundin e botës dhe sesi Zoti po ndëshkon një popull të pafe ose pagan si shqiptarët. Madje kjo video pritet të çoroditë fare gjithë hajdutët konçesionar, të cilët do heqin dorë nga ndërtimi i HEC-eve në Vjosë dhe  Valbonë. Po ashtu ky akt kaq heroik i politikanit në video pritet të rritë mirëqënien tonë. Duke parë epshin në video rrogat do pësojnë një ngritje 3-shifrore, ndërsa fermerët do shesin për eksport maune të tëra me kastravec, patëllxhan dhe kungulleshka “Made in Albania”. Mezi po pritet kjo video, e cila do të na shpëtojë njëherë e mirë nga lista e vendit të fundit në Europë. Madje selitë e huaja në vend, ambasadori Lu dhe ambasadorët e Bashkimit Evropian, po presin veç këto imazhe për të na dhënë notën 10 për tu futur në Europë. Kjo video është kushti i vetëm që duhet  plotësuar për Shqipërinë. Sigurisht ky seks i hatashëm nuk do lërë pa motivuar dhe djemtë tanë në Europian, të cilët do futin vetëm gola në rrjetën e kundërshtarit dhe nuk do pësojnë asnjë në portën e tyre. Mezi po presim. Mediat online janë aty, me sytë hapur në marrjen e urdhërit qiellor, për të na shpëtuar mendjen nga hallet e përditshme. Faleminderit. Ju lutem mos na i lini sytë të njomësht kaq gjatë!/Pasqyre.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *