“Të mallkuarit e Ballkanit”, për fëmijët e martesave shqiptaro-serbe

“Të mallkuarit e Ballkanit”, për fëmijët e martesave shqiptaro-serbe.
Shfaqja “Të mallkuarit e Ballkanit” me autor dhe regjisor Enver Petrovcin tashmë ka filluar provat për realizimin e saj. Ky është një projekt që po e financon UNMIKU dhe kushti është që në projekt të bashkëpunojnë aktorë kosovarë, serbo-shqiptarë por, është kusht që të gjithë të jenë nga Kosova. Ndërsa kushti tjetër është që kostumografët dhe skenografët të jenë femra. Teksti flet për fëmijët e lindur nga martesa e përzier, mes shqiptarëve dhe serbëve. Ngjarja ndodhë shumë para luftës, viteve 70-ta kur fillojë demonstratat kosovare. Kasta e aktorëve për këtë shfaqje përbëhet nga pesë aktorë, tre shqiptarë dhe dy serb. Maria Masal, Armend Zeqiri, Rifat Smani. “Këtë tekst e kam shkruar në vitin 1989 dhe është e çuditshme se çdo gjë që kam shkruar ka dalë. Fitorja e shqiptarëve dhe që pas luftës në qeveri vijnë ata që nuk duhet” tha fillimisht pë KultPlus, Enver Petrovci. Janë dy aktorë, Hekurani, një djalë shqiptaro-serb dhe inspektori, ndjekësi i tij po ashtu shqiptaro-serb por, dallimi në mes tyre është se njëri është përcaktuar për të luftuar për çështjen shqiptare ndërsa tjetri për çështjen serbe. “Teksti është i imi. Rolet që i kam paraqitur në dramë janë fëmijë nga familje të përziera. Në pamjen e parë duket sikur drama është politike por, në të vërtetë aspak nuk është politike por, këtu e përdor politiken për të folur për dashurinë, sepse në të vërtetë drama është për dashurinë” tregoi regjisori Enver Petrovci. Provat për shfaqjen kanë filluar para një jave, ndërsa premiera pritet të jepet pas një muaji e gjysmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *