Shfaqja serbo-shqiptare në Teatrin Kombëtar

Shfaqja e përbashkët serbo-shqiptare “Romeo e Xhulieta”, nga William Shakespeare, në regji të Predrag Miki Manojlloviç, prodhuar nga Radionica Integracija (Beograd) dhe Qendra Multimedia (Prishtinë) do të shfaqet në Tiranë, në Teatrin Kombëtar, me datë 7 dhe 8 qershor, nga ora 20:00.
Në shfaqje interpretojnë aktorët e mirënjohur: Uliks Fehmiu, Anita Manciç, Mensur Safçiu, Tristan Halilaj, Milica Janevski, Jovana Gavriloviç, Edona Reshitaj, Nikola Rakoceviç, Arta Selimi Nebojsa Glogovac, Faris Berisha, Goran Jevtiç, Armend Baloku, Natasa Tapuskoviç e Miki Manojlloviç.
Me skenografi nga Branko Hojnik, kostumografe: Zora Mojsiloviç, koreografe: Sonja Vukiceviç, kompozitor: Vladimir Pejkoviç, dramaturge: Olga Dimitrijeviç. Producent ekzekutiv: Milica Miliç, bashkçproducent: Jeton Neziraj.
Sipas Miki Manojlloviç, kjo shfaqje nuk është refleks i mendimit politik por vepër e njerëzve që kanë talent, mend dhe guxim. Secili nga pjesëmarrësit e do kombin e vet dhe nuk e urren të huajin. Është gjë e madhe që rreth këtij projekti janë mbledhur artistët nga Beogradi dhe Prishtina duke bashëpunuar me zemër dhe fuqi të plotë. Ngjarja e shfaqjes zhvillohet në kohën e sotme, në Veronë, pra nuk i pasqyron ngjyrimet tona lokale. Fjalët kyqe të saj janë urrejtja, dashuria dhe gjuha si urë dhe murrë.

Mes popullit serb dhe atij shqiptar edhe me tej ka mosdurime, konflikte, mosmarrëveshje dhe grindje. Përvojat e raporteve post-konfliktuale mes ish republikave jugosllave tregon se kultura ka qenë ndër fushat e para ku është arritur që të kapërcehen barrierat, si ato territoriale ashtu edhe të raporteve ndërnjerëzore. Shfaqja shpejt dhe pa dhimbje u hapi rrugën tolerancës dhe dialogut mes kulturave.

Shfaqja Romeo dhe Zhuljeta është dëshmi serioze se komunikimi dhe bashkëpunimi mes artistëve kosovar dhe serb është i mundshëm. Ky projekt i ndërlikuar ka zgjuar interesimin e opinionit të gjërë dhe shpresoj se ka ndikuar edhe në ndryshimin e ndërgjegjjes së individëve.

Pos intelektualëve, projekti i drejtohet edhe një grupi tjetër shumë të rëndësishëm, qytetarëve, atyre që në të vërtetë edhe te Shakespeare janë subjekt i dramës universale. Ndër qytetarët edhe më tej mbizotëron mosdurimi dhe jotoleranca. Shfaqja rrëfen për rëndësinë e tejkalimit të paragjykimeve, forcimin e besimit të ndërsjellë, tejkalimin e keqkuptimeve dhe të mungesës së tolerancës. Shfaqja Romeo e Zhuljeta që ne e kemi realizuar është një ngjarje e veçantë kulturore, arriti shikueshmëri të lartë në Serbi, në Kosovë dhe zgjoi interesim të madh edhe në vendet tjera të rajonit e më gjërë.
Projektin në tërësi, pos shfaqjes, e përbën edhe filmi dokumentar i realizuar sipas idesë së Miki Manojlloviçit, kryetarit të Shoqatës Punëtori e Integrimit nga Beogradi. Kurse organizata partnere me të cilën është realizuar shfaqja është Qendra Multimedia nga Prishtina.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *