Nga 18 deri më 25 qershor 2016, Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dea Open Air do të startojë edicionin e tij të tretë. Edhe këtë here festivali do të vijojë traditën e të qenit vizitor i njëkohshëm në dy qytetet më të bukura të Jugut shqiptar: Sarandë
dhe Gjirokastër.
Festivali organizohet edhe këtë vit Open Air. Në Sarandë në Kinema Limani dhe
në Kinoteatrin e qytetit, ndërsa në Gjirokastër në Kinema Odeon si edhe në
Kinemanë e Re të qytetit. Planifikuar është edhe improvizimi i disa kinemave të tjera për seksionet plotësuese në ambjente të ndryshme të qyteteve.
Numri i aplikantëve të DEA OPEN AIR ka ardhur në rritje nga viti në vit. Nga 487
filma të ardhur nga 49 vende të botë, në edicionin e parë (2014) dhe 1300 syresh
nga 75 shtete në edicionin e dytë, këtë vit, për të marrë pjesë në festival kanë
aplikuar mbi 2300 filma, prej të cilëve 185 filma me metrazh të plotë dhe 2120 filma të shkurtër nga rreth 100 vende të ndryshme të botës. Filmat e paraqitur dhe fituesit që marrin pjesë në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur që në fund të muajit Mars.
Komisionet e përzgjedhjes paraprake kanë menduar t’i ofrojnë publikut të gjerë
dhe atij të specializuar 7 filma të gjatë (prodhime të viteve 2015-2016 nga Gjermania, Shqipëria, Franca, Suedia, Turqia, SHBA dhe Zvicra) për Seksionin e filmit me metrazh të plotë ose konkurimin kryesor si edhe 6 syresh (Rusia, Gjermania, Kroacia, Italia, Greqia) për Seksionin e filmit ndërkufitar.
Për konkurimin në Seksionin e filmit të shkurtër kanë aplikuar 2120 filma nga 80
vende të botës. Komisioni i përzgjedhjes paraprake ka përzgjedhur për këtë konkurim 39 filma, të ardhur nga: Australia (1), Belgjika (1), Bullgaria (2), Franca (4), Gjeorgjia (1), Gjermania (3), Holanda (4), Itali (1), Kanada (2), Kosova (2),
Polonia (3), Republika çeke (1), Rusia (1), Siri (1), Spanja (4), SHBA (1), Shqipëria (5), Turqi (1), Zvicër (1). Akademia verore e filmit DEA, do të fokusohet këtë vit në edukimin filmik të
fëmijëve dhe të rinjve. Organizuar në tri fasha të ndryshme orare përputhur me tri
grupmosha të ndryshme (për fëmijë, adoleshentë dhe të rinj) në Kinoteatrin e qytetit të Sarandës dhe Kinemanë e Re të qytetit të Gjirokastrës do të shfaqen 15
filma për fëmijë dhe të rinj, shoqëruar me shpjegimet dhe ligjëratat e lektorëve të specializuar për edukimin filmik të fëmijëve, të ardhur nga Suedia dhe Gjermania.
Edicionin e tretë të DEA International Film Festival e mbështet Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë, të cilat së bashku me Bashkinë e Sarandës dhe Gjirokastrës krijojnë atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota. Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve të tjera evropiane të filmit, por dhe aktorët, regjisorët, producentët dhe gazetarët e ftuar i japin aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që kinemaja gjithnjë premton dhe realizon.