Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, ditën e premte, më datë 27 maj, hapi dyert për takimin e parë të seminarit “Përthyerje antropologjike”, një bashkëpunim i Departamentit të Etnologjisë të QSA-së dhe BKSH-së, nismë që synon të krijojë një traditë të re në fushën e kulturës shqiptare. Në takimin e drejtuar nga Prof. Dr. Persida Asllani, drejtore e BKSH-së dhe Prof. assoc. Dr. Nebi Bardhoshi, Shefi i Departamentit të Etnografisë, ishin ftuar antropologë, etnografë, studiues dhe studentë, u theksua rëndësia e antropologjisë kulturore dhe u rrokën aspekte mbi ‘botët që po zhduken’. Gjatë këtij takimi u shfaq filmi “Shqiptarët e Rrogamit” i antropologes norvegjeze Berit Backer, si një formë për të kujtuar se prej nga vijmë, jo vetëm si ‘truall’ por edhe si ‘kohë e gjendje’ njerëzore. Prof. Dr. Afërdita Onuzi, etnografe e mirënjohur, ndau me të pranishmit kujtime dhe përvojën e saj gjatë kërkimeve antropologjike në krah të Berit Backer në Rrogam të Tropojës.
“Përthyrje Antropologjike” është konceptuar si një seminar përmanent i Departamentit të Etnologjisë, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Tiranë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare. Si pjesë themelore e seminarit parashihet zhvillimi i një seri takimesh të rregullta, në të cilat do të prezantohen monografi, studime si dhe filma antropologjikë. Zhanret e shqyrtimit apo dokumentimit të jetës së përditëshme do të jenë objekt i prezantimit dhe debatit të hapur. Takimet si njësi përbërëse të seminarit do të zhvillohen në formate të ndryshme duke marrë trajtën e prezantimit të librave nga autorë apo kritikë, e leksioneve të hapura, e prezantimeve të filmit antropologjik si dhe të tezave antropologjike.