Kënga popullore si transmetuese e dëshirave, urimeve, vuajtjeve, revoltës, guximit, mallit e pikëllimit, do të shoqëronte gjenerata të tëra. Sidomos ato të Ballkanit, shkruan sot Koha Ditore.
Përmes vargjeve janë sjellë në jetë pjesë të historisë, ku i është kënduar veçmas çështjes kombëtare. Folklori është trajtuar të mërkurën në ditën e tretë të “Javës së Albanologjisë” që po mbahet në Prishtinë. “Kënga popullore si refleksion për jetën: teksti, tekstura dhe konteksti”, ka qenë tema e sesionit në këtë fushë.
Studiuesi Fazli Syla ka vënë në pah vlerat edukative të folklorit shqiptar, duke e konsideruar atë si formën e duhur edhe për revoltë. Por fakte të tjera dalin në pah kur përmenden edhe ndikimet e sistemeve të caktuara shoqërore, e ku krijimtaria folklorike del se ka shërbyer edhe si kanal për realizimin e ideve diktatoriale të kohës.
Kjo çështje është analizuar dhe shqyrtuar nga studiuesi Agron Xhagolli, në kumtesën e tij me titull “Folklori ri si refleks i trysnive politike”. Ndërsa shembuj për këtë janë dhënë në studimin që ka bërë Vlorë Fetaj-Berisha, në kumtesën me titull “Reflektimi i kontekstit historik në krijimin e këngës popullore – ‘Kur ta kthyem oj Kosovë shpinën’”.
Sipas Xhagollit, sistemet shoqërore diktatoriale janë të interesuara për nxitjen dhe mbështetjen e atyre hapësirave apo drejtimeve që ndikojnë për lartësimin dhe glorifikimin e pushtetit. Një gjë e tillë është parë në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, ku pikërisht edhe krijimtaria folklorike shërbeu si rrugë e realizimit të këtyre ideve.
“Sistemi politik që u vendos, që në fillimet e veta i dha një vlerësim dhe rëndësi të madhe krijimtarisë folklorike. Pra kjo u bë me një qëllim të caktuar pasi përmes krijimeve folklorike që përbënin të quajturin folklor i ri, mendohej se do të mbetej e skalitur ndër shekuj ‘vepra’ e Partisë dhe e udhëheqësit të saj”, ka thënë Xhagolli, teksa ka shtuar se krejt puna për folklorin u orientua në krijimin e raporteve të baraspeshuara midis të së ashtuquajturës krijimtari tradicionale dhe të atij që quhej folklor i ri.
“Një term i sajuar, për të përfaqësuar atë krijimtari të quajtur folklorike, por që në thelb vetëm e tillë nuk ishte. Në këtë mënyrë, vlerat dhe funksionet që krijimet folklorike tradicionale kishin realizuar u shfrytëzuan për atë realitet që kishte të domosdoshme të gjitha hapësirat e mundshme të lartësimit dhe të ndikimit në popull”, ka thënë Xhagolli. Ky lloj politizimi që iu bë krijimtarisë folklorike, sipas tij solli edhe një situatë të vështirë për kërkimin folklorik.
“Kur ta kthyem oj Kosovë shpinën”e kënduar nga Dervish Shaqa, dëshmon atë që Xhagolli ka trajtuar në kumtesën e tij, veçmas me vargun “Po ç’ke bo parti për neve. Hej o hej e as kurrkush se bon mi dheve”. Dervish Shaqa me këtë këngë, sipas Vlorë Fetaj-Berishës, përdor metaforë që lë të kuptohet për zhgënjimin që kishte përjetuar këngëtari kur kishte shkuar në Shqipëri, i cili kishte jetuar dy realitete kohore, atë të krajlit në Kosovë dhe atë të Enver Hoxhës në Shqipëri.
“Por sigurisht që fatin e Dervishti nuk e kishin pasur edhe të ikurit e tjerë nga Kosova. Mendojmë se gjithë favoret që kishte gëzuar Dervishi në Shqipëri ishin falë popullaritetit që gëzonte në Kosovë me të vetmin qëllim që të shërbenin si një shembull i mirë për atë se si i trajtonte shteti amë kosovarët”, ka thënë Fetaj-Berishaj. Një tjetër varg që e dëshmon këtë është edhe: “Veç parti të kesh gjithmonë. Hej e hej, dorën n’zemër e pushkën n’dorë”. Kjo këngë më pas është përpunuar dhe teksti i është ndryshuar. Përderisa këngën me tekst origjinal e interpreton vetëm Dervish Shaqa, në interpretimin e varianteve ekzistojnë shumë interpretues, si grup apo solokëngëtarë.
“Kënga origjinale përshkruan në mënyrë autentike jetën në Shqipëri që nga periudha e Luftës së Parë Botërore e deri në përfundimin e diktaturës. Ndërsa variantet të cilat janë kënduar pas ndryshimit të sistemit komunist, duke parë se çka kishte ndodhur në Shqipëri, ka ndryshuar edhe teksti i këngës”, ka thënë Fetaj-Berishaj. Sipas saj, kjo dëshmon se kënga është reflektim i ndryshimeve historike të cilat ndikojnë në krijimin e një kënge popullore.
Por duke pasur parasysh që shqiptarët e Kosovës nuk kanë pasur një traditë në zhvillimin e stileve në kuadër të muzikës artistike para të shekullit XX, një periudhë e cila është e njohur për fillimin e rritjes e kultivimit të saj, i vetmi zhanër muzikor i kultivuar në atë kohë ishte folklori, i cili më vonë do të veprojë si mbështetje bazë për futjen dhe zhvillimin e muzikës artistike. Shembuj për këtë janë sjellë muzikologët Rreze Kryeziu e Visar Munishi me kumtesën “Kënga e Ago Ymerit dhe roli i saj në muzikën artistike”.
“Sipas muzikologut Engjëll Berisha, si konsekuencë kyç e një orientimi të tillë kombëtar është lidhja e madhe në mes të kompozitorëve dhe popullit të tyre, me theks të veçantë ndaj identitetit kombëtar”, shkruhet në këtë kumtesë.
“Krijimi i muzikës artistike kombëtare si dhe konsekuencat e tjera që më lehtë mund të identifikohen tek kompozitorët e tjerë të njohur botërorë: Frederic Chopin (1810-1849), Pesëshja Ruse, Bela Bartok (1881-1945) etj, ku në numër më të madh të veprave të tyre profesionale, karakteristikat themelore i bartin motivet folklorike”, ka qenë konstatimi që kanë nxjerrë Kryeziu e Munishi.
“Folklorizem dhe ideologji (Kënga nën kthetrat e diskursit totalitar)” nga Izeim Murtezani, “Krushqit e ngrirë të Dardanise: konteksti i receptimit dhe jehona e kujtesës” nga Arnora Dushi, “Tekstura e këngëve për nusen në ceremonialin e dasmës tradicionale shqiptare” nga Miaser Dibra, “Natyra në këngën popullore shqiptare” nga Shemsi Krasniqi, “Këngët popullore të dasmës, roli i tyre propagandistik dhe reflektimi tek audienca”, nga Mimoza Shqefni, kanë qenë disa nga temat e tjera që janë trajtuar në sesionin e folklorit.
Mbi 100 studiues po marrin pjesë në edicionin e sivjetmë të “Javës së albanologjisë”. Deri në përfundim, të premten, do të mbahen edhe sesionet e etnologjisë që për temë ka trashëgiminë shpirtërore dhe ai i historisë në temën “Perandoria Habsburgase dhe raportet e saj me Ballkanin”./koha.net