Gra të forta nën Qiell të heshtur në “Metropol”

Teatri i Metropolit sjell më 27 maj premierën e dytë për këtë sezon. “Qiell i heshtur”,  komedi e frymëzuar nga jeta e astronomes Henrieta Laevitt, një nga astronomet e para në Harvard. Një grua e re dhe pasionante, së cilës i duhet të përballet me një shoqëri të pamësuar me gra të forta, në një botë të dominuar nga burrat. Këmbëngulja, energjia, pasioni dhe vizioni e bëjnë një vajzë të brishtë nga Bostoni të ndjekë ëndrrën e saj. Jeta mahnitëse e astronomes Henrieta Laevitt, një nga të parat në Harvardin e 1900-ës dhe grave të tjera që realizuan hartën e yjeve në univers, vjen për herë të parë premierë në Shqipëri.

Regjisorja Armela Demaj sjell “Qiell i heshtur”, një komedi romantike, gjysmë biografike e shkruar nga Loren Gunderson më 27 maj 2016, në Teatrin e Metropolit.

Kjo shfaqje është edhe premiera e dytë e këtij teatri për këtë sezon, pas shfaqjes “Rashomon”, me regji të Jonida Beqos, aktualisht drejtore e Teatrit të Metropolit, e cila në këtë shfaqje vjen edhe si aktore. “Qiell i heshtur” është një ndodhi njerëzore, që i flet shoqërisë, dje dhe sot. Një vepër, e cila flet për marrëdhëniet familjare, besimin në fuqinë e mendjes dhe shpirtit, mbështetjen dhe solidaritetin, këmbënguljen për të kërkuar dritë në thellësitë e pandriçuara dhe mënyra shprehëse të reja me qëllim një pamje më të qartë dhe kontribut në begatinë e njeriut.

Kjo premierë vjen si një vlerësim për kontributin e këtyre grave që bënë histori në botë. Ngjarja zhvillohet kryesisht në Observatorin e Harvardit dhe skena dominohet nga prania e yjeve, pasionit të njerëzve që e duan punën dhe dashurinë. Në role interpretojnë aktorë si Nigela Ruka, Sonila Kapedani, Redjan Mulla, Jonida Beqo e Veriana Abazaj. Henrieta Laevitt, figura femërore që ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në botën astronomike, studimet e së cilës kanë shërbyer për vazhdim të eksplorimeve nga shkencëtarë të tjerë, vjen në skenë nga aktorja Nigela Ruka. Margarita, është motra e Henrietës, një vajzë e devotshme, që jeton sipas rregullave të komunitetit dhe kujdeset për pjesëtarët e familjes ndërkohë, që nuk lë pianon dhe kompozimet pas dore, vjen në skenë nga Sonila Kapidani.ATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *