Për herë të katërt në Kosovë, Artpolis organizon festivalin e artisteve për të drejtat e njeriut – “Femart” që do të mbahet nga 25 – 30 maj në Prishtinë. Edicioni i katërt i Festivalit “Femart” do të mbahet nga 25-30 maj në Prishtinë, nën organizimin e Artpolisit – organizata për art dhe komunitet. Festivali i vetëm feminist në Kosovë dhe më i madhi në rajon, “Femart” përsëri ofron një javë të tërë me shfaqje teatrale, koncerte, ekspozita, slam poezi, master klase, pop in talks, panele dhe filma nga Kosova dhe më gjërë – të gjitha falas për publikun!
“Koha” shkruan se edhe këtë vit, ky festival do të sjell artin origjinal të krijuar dhe prezantuar nga artistet duke përfshire: Shfaqje Teatrale, Filma dokumentar dhe të shkurtër, Master Klasa, Punëtori, Ekspozita, Performancë, Promovim Libri, Slam Poezi, Muzikë, Panele Diskutimi, Koncerte, Pop in Talks, dhe forma të tjera të artit të krijuara nga artistet dhe aktivistet nga: Kosova, Rajoni dhe Europa.
Gjatë 6 ditëve të Festivalit “Femart”, do të zhvillohen 30 aktivitete me mbi 100 artiste/artistë dhe aktiviste, në 8 lokacione të ndryshme në Prishtinë, nga ora 10:00 – 24:00. Hyrja në të gjitha aktivitetet e “Femart” është falas!
“Sivjet mund të ndiqni një koncert premierë për Kosovë shumë të veçantë nga një këngëtare e njohur botërisht Christine Salem, këngëtare e traditës maloya nga Ishulli Reunion në Oqeanin Indian, e cila me bendin e saj është ne tour në Evropë, dhe Kosova për herë të parë do ta ketë një koncert të llojit të kësaj muzike, premiera e filmit “Bota” nga Iris Elezi në Prishtinë (i përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në çmimet Oscar të vitit 2016), shfaqja Copë Copë e dramaturgës Blerta Zeqiraj dhe Regjisores Zana Hoxha Krasniqi, koncert special nga Viena me Rina Kaçinari (e njohur në Evropë nga duoja muzikore Catch-Pop String-Strong) dhe Jörg Mikula, shfaqje nga Tirana “Qielli i Heshtur” nga regjisorja Armela Demaj, koncert nga bendi punk-feminist nga Tirana Pre-Menstrual Syndrome, Teatri Kombëtar Maqedonas me Shfaqjen “Rrëfime Personale” nga regjisorja Nina Nikoliq dhe shfaqja “Ngjyrat e gushtit” nga regjisorja Ilire Vinca, ndër shumë të tjerash, thuhet në njoftimin e Artpolisit.
Po ashtu, pas dhjetë vitesh kthehet me ekspozitë Fitore Berisha – artistja kosovare që jeton dhe vepron në Islandë, ndërsa Zymryte Hoxhaj nga Gjermania/Kosova dhe Adela Jushiq nga Bosnja dhe Hercegovina prezantohen në ekspozitë grupore Audio/Vizuale.
Filmat e shkurtër sivjet janë ndarë në 3 kategori: Filmat e regjisoreve studente nga Fakulteti i Arteve, Filmat e shkurtër të huaj nga Gjermania dhe Kanada dhe Filma Dokumentarë nga Iraku dhe Meksika.
Siç thuhet në njoftim “Femart” po ashtu ofron Master klasa mbi përfaqësimin e grave në skenën kulturore nga drejtorja e festivalit belg Voix de Femmes (Zëri i Gruas), Brigitte Kaquet, dhe drejtorja e Qendrës Kombëtare për Kulturë dhe Art në Jordani, Lina Attel. Punëtoritë sivjet do të mbulojnë temën e përfaqësimit të grave në dramë (punëtori e drejtuar nga dramaturja e shpërblyer Doruntina Basha), Turpi, faji dhe aktivizmi (drejtuar nga Sandra Ljubinković), aktivizmi i vajzave të reja (drejtuar nga Jelena Memet dhe Andrijana Kociq) dhe ngacmimi seksual (drejtuar nga Dua Kadriu Dauti). Ndërsa në panelet e diskutimit do të ballafaqohemi me sfidat e vazhdueshme të feminizmit në Kosovë, me tema sikur regjia dhe mizogjinia, autonomia e trupit të gruas, gratë dhe trashëgimia, dhe të qenët feminist dhe burrë në Kosovë. Një program enkas është krijuar edhe për Transgjinorët me Film dokumentar, ligjëratë nga CEL dhe mysafirë.
Për herë të parë “Femart” bashkëpunon zyrtarisht edhe me Festivalin DAM, ku sopranoja Besa Llugiqi dhe pianistja Lirika Pula do ta përmbyllin Festivalin së bashku me ndarjen e çmimit “Femart” për herë të parë sivjet.