Vuçiç: I nderuar që takoj një artiste kaq të madhe si Inva Mula

Sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula, është pritur nga kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, e cila do të interpretojë të mërkurën në Teatrin Kombëtar në Beograd operën “La Boheme” të Giacomo Puccinit, në kuadër të bashkëpunimit mes dy teatrove kombëtarë. Vizita e Mulës, e cila njihet edhe për rolin e saj në filmin “The Fifth Element” me Bruce Willis, është kryer në kuadër të Protokollit për bashkëpunim në mes të Teatrit Kombëtar të Beogradit dhe Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Vuçiç dhe Mula vlerësuan se kjo përformancë është parakusht në forcimin e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve dhe kjo, siç theksohet në një komunikatë për media të Qeverisë serbe, do të kontribuojë në promovimin dhe avancimin e marrëdhënieve bilaterale, raporton Koha.net. Ata theksuan se është qenësore të punohet në rritjen e numrit të vizitave dhe turneve të artistëve, si në Serbi ashtu edhe në Shqipëri, dhe shtuan se zbatimi i ngjarjeve të përbashkëta kulturore është i nevojshëm. “Vuçiç theksoi se ndjehet krenar që pati rastin të takojë një artiste kaq të madhe, të cilës ai gjithashtu i shprehu mirënjohje për thellimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shqipërisë”, thuhet në fund të komunikatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *