RE-typing në Re, performanca për përjetimin e krijimit

 Të mërkurën në orën 20:30 një performancë e veçante para Galerisë Kombëtare të Arteve.
Programi Rezidencial “POETEKA – TIRANA IN BETWEEN” që, prej katër vjetësh fton shkrimtarë dhe përkthyes nga rajoni dhe Europa, në bashkëpunim me “REJA – Pavijoni Serpentine”, organizon të mërkurën, dt. 25 maj 2016, ora 20.30, performancën poetike “RE-typing”, të autorit serb Dejan Čančarević, i ftuar në Rezidencë gjatë muajit maj.

Konceptues dhe moderator i performancës është Arian Leka, bashkëbisedimi me poetin Dejan Čančarević do realizohet nga gazetari Ben Andoni e përkthyesi Filip Vukadinović, bashkëorganizatore e projektit Silvana Leka.
Performanca RE-typing projektohet si një demonstrim i të ri-përjetuarit të procesit të krijimit të poezisë që, nga një akt intim dhe vetiak, shndërrohet në përvojë që ndahet në mënyrë të aktualizuar me publikun.

Përpjekja për të portretizuar përvojën artistike të të shkruarit poezi në “kohë reale” ofron njëherazi estetikën e mundësisë dhe estetikën e së pamundurës, si grishje e publikut drejt këtij përjetimi dhe ftesë për pjesëmarrje në artin që ndodh aty dhe për ta.

Poezitë e autorit, të shkruara dhe të shtypura përmes kompjuterit, rishtypen duke përdorur daktiloshkrimin e makinës, në mënyrë që, duke u kthyer pas në kohë, te shkrim-përjetimi i dikurshëm, të provokohet një formë të re, unike për kujtesën e tekstit, autorit dhe të pranishmëve.

Teksti pëson ndryshim grafik, pasi mundësitë “e kufizuara” të daktiloshkrimit të  makinës, zgjerohen përmes leximit të autorit dhe shkrimit digjital, që ndryshon formë vazhdimisht në sytë e publikut.   

Qëllimi mbetet jo prodhimi, por krijimi i një poezie, që është në të njëjtën kohë origjinal dhe kopje e vetvetes, krijim dhe rikrijim i një autori të vetëm dhe një veprim i ndodhur në të shkruarën dhe po aty, në çast dhe përballë lexuesit.

Poezitë janë fragmente nga një libër ende dorëshkrim, copëza të botuara dhe të pabotuara tekstesh të autorit, që vijnë si formë eksperimentale e artit të pakryer, që fton të pranishmit të bëhen pjesë e një procesi ars combinatoria që ndodh enkas për ta dhe aty.

Gjatë performancës, si ndërveprim, të pranishmit i lexojnë vargjet në ndryshim përmes video-projektorit.

Programi

Rezidenca letrare “POETEKA- Tirana in Between”, e themeluar për herë të parë në Shqipëri nga POETEKA në mars të vitit 2013, dhe e zhvillon veprimtarinë falë bashkëpunimit me rrjetin TRADUKI, me Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, me Ambasadën Gjermane dhe Ambasadën Austriake në Tiranë, Fondacionin kulturor të Liechtensteinit, duke u dhënë mundësi krijuese dhe bashkëpunimi 24 shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë europianë dhe duke sjellë gjithashtu përmes tyre pasurimin e skenës kulturore shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *