…sëmundja ime

Edvin Kukunja

ç’ke
nuk jam mirë
po ç’ke pra
jam sëmurë
me ç’sëmundje
me sëmundjen e pamundësisë
për të thënë boll
mjaf
jo
sëmundje e keqe
çështja është se shpesh jam kurioz
do të vdesësh i ri
e ç’rëndësi ka
gjithnjë më ka çuditur aftësia e disave
për ti vënë gjithçkaje një emër
shpesh i saktë
i duhuri dmth
është rastësi
nuk është ndonjë talent i veçantë
e thua ti
unë këta i kam zili
më ngjajnë me qënie të shëndetshme

mos u dëshpëro
ka një kurë dhe për ty
koha
koha ndër ikje dhe mbërritje
ndër plluskime dhe pllaquritje
do të të shërojë një ditë
dhe atë ditë ti do të ulesh përballë një deti
një deti çfarëdo
në një tavolinë çfarëdo
me një gotë vere të djersitur çfarëdo
dhe do të kuptosh që fundi është afër
dhe ti do të kesh tashmë në xhep
një oqean me të pathënat jo
dhe ti do të jesh i gatshëm t’ia falësh kujtdo
atë botë
botën tënde
që gjithnjë me peshën e saj
në fund të stomakut
nuk të la të mbyllje sytë as dhe për një çast
nuk të la t’i thoshe jo jetës
në çfarëdo lloj forme ajo në derën tënde trokiti

do të ikësh i lehtë pëndë
do të ikësh si jehona thepash e valësh
për të mos u kthyer më
e thjeshtë
kaq e thjeshtë është

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *