ti e di ku do të shkosh

Edvin Kukunja

ti e di ku do të shkosh

në të s’ëmës

mund të shkosh

kujton se ke gjithçka

ajrin

qiellin

diellin

dritën e syve të tjetrit

dritë e syve të tu

 

nuk bëj dot pa qytetin

siç nuk bëj dot pa fytyrën e saj

ky është burgu im

ku gjendem rob bashkë me ty

troturari është pentagrami

rruga fletë e bardhë

djersa dhe pisllëku

erë e tjetrit

shuplakë për ndërgjegjie të fjetura

 

kemi dalë prej shtratit miku im

kemi rrjedhur

siç rrjedh lumë i tërbuar

prurjeve të pareshtura dimrit zemërak

këtij dimri disa shekullor

kemi thyer argjinaturat

tatëpjetave të moralit jemi lëshuar

dhe tani numërojmë monedhat e arta

që tringëllijnë në pusin e errët të së nesërmes

që dergjet si një dashnore e dhunuar

që na urren

që nuk mund të mos na urrejë

 

ti e di ku do të shkosh

po ashtu zonjusha që ke në krah

në të s’ëmës mund të shkosh

unë do të të ndjek

pullë poste pas teje do të jem

dy ose tri sekonda me vonesë

jetlag dimensional

si wordpress shpërblim për mëdyshjet

brerjen e ndërgjegjies time

prej krijese të plogësht

që asgjë nuk bëri për të vënë

qoftë dhe një gur

ndanë shtratit të lumit tonë

 

ti e di ku do të shkosh

kohën e një cigareje

dhe unë do të të ndjek pas

unë

trotuari

rruga

qyteti dhe njerëzia mbanë

pa asnjë kusht


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *