“Të ikurit”, Letërsia e Lekës në Gjermani: Regjistri i të mbyturve tanë…
“Fëmijët e ranishtave nuk sjellin lule në det.
Ndjekin me sy rënien e yjeve mbi ujë. Më të vegjlit i gënjyem.
U thamë se të mbyturit i mbjellim si farë në tokë.
I fusim në dhé si qindarkat në kutinë e kursimit të vdekurit tanë.
Të mbyturit janë njerëzit tepër”. (“Fëmijët e brigjeve të Jugut shqiptar”- nga “Libër Deti” 2009)
Fatmira Nikolli
Ikja, mbytja, harresa, dhembja, emigrimi, eksodet. Deti: i bukur, i mirë dhe armik-deti si arenë e përgjakshme për mbijetesë, deti si varr dhe njerëz, imazhe njerëzish që mbathin varka/këpucë-anije për të ikur. Mandej, një tufë e përbindshme imazhesh që të vijnë prej tyre: njerëz që i mbathën varkat për të ikur-njerëz që nuk e morën anijen e kthimit, njerëz që nuk mbërritën kurrë, as nuk u kthyen kurrë/njerëz që u shuan me shpirtrat mbetur pezull në det, në ujërat e askujt, të harruar prej gjithkujt-në net të frikshme dimri/njerëz që ende shohin mes atdheut të nëmur e tokave të premtuara, pa mundur të lëvizin prej askundit që ne gënjejmë dhe e quajmë ‘parajsë’, ata, të mbyturit-njerëzit e tepërt.
Dy ese të reja të Arian Lekës, shpërfaqin panoramën e dhimbshme të ikjeve, të ikjeve që nuk mundën shpesh të jenë edhe mbërritje. Temat e përmendura më lart përbëjnë thelbin e shkrimeve të tij, ‘fotografi’ letërsie të Shqipërisë së mbytur a të ikur, të Shqipërisë së nëmur, a të Shqipërisë që shkretohet prej ikjeve të përhershme-një tokë prej ku veçse iket, ndër shekuj, veç iket.
TAKIMET LETRARE
Shkrimtari Arian Leka është ftuar në dy veprimtari letrare, që promovojnë krijimtarinë në prozë dhe në poezi të këtij autori, aktivitete këto që zhvillohen në datat 3 dhe 4 maj në Shtutgart, Gjermani të fokusuara në temën e arratisë-ikjes dhe detit-deti si një hapësirë shpëtimi, si dhe shpresat dhe frika e të ikurve.
Këto takime vijnë fill pas përfundimit të qëndrimit të shkrimtarit Arian Leka në Rezidencën letrare të qytetit Pecs (me ftesë të ambasadës shqiptare në Hungari dhe “Writer in Residence Programme”), gjatë të cilit ky autor zhvilloi lexim publik, takime me mediet, zhvilloi një orë leksioni të hapur me studentët e degës së gjuhëve të huaja të Kolegjit “Nagy Lajos”, në të cilin u fol mbi marrëdhëniet mes kulturave të Shqipërisë dhe Hungarisë, mbi temat ku historia e të dy kombeve ka pikëtakime, kontributin e njerëzve të dijes, si Baroni Ferencz Nopcsa dhe trashëgimia e tij studimore në fushë të etnologjisë dhe etnografisë, përfshi këtu edhe koleksionin e tij të çmuar fotografik nga veriu i Shqipërisë si dhe mbi përkthimet letrare, si parakusht për njohjen më të thellë të kulturës së të dy vendeve.
Do të jenë programe për audienca të ndryshme, për secilën veprimtari, që përqendrohet veçanërisht në atë pjesë të krijimtarisë letrare të Arian Lekës, që prek temën e detit si kujtesë historike, praninë e detit si një mundësi kontaktesh, hapjeje dhe zhvillim multikulturor nga njëra anë. Por në këtë tematikë bën pjesë edhe krijimtaria që ka në fokus praninë e detit si një pengesë, për një vend të izoluar si Shqipëria. Bashkë me këtë vijë edhe historitë e dhimbshme të eksodeve, të tragjedive detare të dhjetëvjeçarëve të fundit, të cilat janë bërë lëndë për tekstet e autorit të janë përkthyer e të publikuar edhe në gjuhën gjermane nga Shtëpia Botuese “Thanhauser”, e cila merr pjesë në promovim dhe revista kulturore europiane “Lettre International”, Berlin, që hap një stendë me botimet e autorit në këtë revistë.
Takimi në Akademisë së Fjalës së Folur, moderohet nga përkthyesja Loreta Schillock, ndërsa takimi në bibliotekën e qytetit (Ludwigsburg) moderohet nga prof. Barbara Potthast.
Sfondi hyrës i takimeve është përthyerja e kësaj tematike në etnosin shqiptar, ku si mbështetje vjen kënga folklorike “Ç’u këput një këmbë mali”, e njohur si përcjellëse e një kodi të përcaktuar në kohë, por që në këtë rast shërben si një metaforë e ndarjes së emocionit të fortë të largimit dhe të humbjes përballë fenomenit shekullor të emigracionit, të ikjeve, lëshimit të vendit, të eksodeve masive nga Shqipëria dhe malli tronditës për ata që nuk kthehen më.
Në mbështetje të kësaj shkojnë lexime të krijimtarisë me temë detare (“Fëmijët e brigjeve të Jugut shqiptar”, “Zanafilla e detit”, “Polifoni”, “Përfytyrime deti”, “Vetëm det” – botuar në librin Ein Buch, Ein Meer, përkthyer nga Lindita Arapi dhe Loreta Schillock, “Thanhauser” 2012) të cilat në shqip lexohen nga autori, ndërsa në gjermanisht nga aktori Rudolf Guckelsberger. Në funksion të kësaj ideje të pranishmëve u paraqiten esetë më të reja të autorit “Njerëzit që mbathin varka” dhe “Regjistri i të mbyturve tanë”.
Pjesë e bashkëbisedimit me të pranishmit bëhet edhe hapësira gjeo-emocionale e një qyteti bregdetar si Durrësi, të ekspozuar për shekuj si ndaj shkëmbimeve dhe prurjeve kulturore ashtu edhe ndaj eksodeve, apo emigrimeve si dhe fragmente të eseve të mëhershme ë Arian Lekës, botuar në “Lettre International”, të tilla si “Lojë shahu me kuadratet e zinj”, “Provincë si airbag/ Provinca Frankenshtajn” etj.
Këto veprimtari zhvillohen me ftesë të Akademisë së Fjalës së Shkruar, Bibliotekës Ludwigsburg në qytet, me interesimin të Institutit hungarez të kulturës (Belassi Institut) të shoqatës kulturore Mörike, dhe janë mbështetur nga Shoqata Letrare për Shoqërinë dhe Kujtesën, Fondi i Qeverisë Federale dhe TRADUKI. Më poshtë, pjesë nga dy esetë e reja.
REGJISTRI I TË
MBYTURVE TANË
Arsyeja se përse e ruaj ndjeshmëri ndaj temës nuk është thjesht estetike, por e lidhur me tragjeditë detare dhe me faktin e trishtë të mijëra shqiptarëve, vështruar si naufragus historik. Ky regjistër i ftohtë i të mbyturve më bën të mendoj se përveç asaj që rri mbi brigje dhe rrëzë maleve në tokë, një Shqipëri tjetër është mbytur dhe është fundosur historikisht nën detin Adriatik dhe nën kanalin e Otrantos.
Vargu i John Donne, mbi njeriun që është i gjithë njerëzimi, bën që shqiptarët e atyre moteve të jenë afrikanët e sotëm që mbyten në Mesdhe. Ata janë po aq naufragus sa dhe heronjtë e letërsisë europiane të kohëve të shkuara. Gratë që humbën në mënyrë dramatike jetën e tyre në “Mesdheun e mizor”, në Egje, në Adriatik, në Detin Tirren, në Jon, në gjirin e Korintit apo të Mesinës janë të njëlloj të mbytur si Ofelia e Shekspirit. Burrat e mbytur janë si Javert i Hugoit. Fëmijët e mbytur me lodra në dorë, janë Pinocchio në barkun e balenës. Ata mbyten njëlloj si poeti kinez Li Po. Çdo i mbytur në brigjet e Ligurias është poeti Percy Bysshe Shelley, i cili humbi jetën gjatë një stuhie në gjirin pranë Livornos, pasi kishte shkruar “Në detin e thellë të mjerimit”. Vajzat e mbytura në detin tonë janë Virginia Woolf, e cila u fundos pasi, mbushi xhepat me gurë. E mban mend dikush se si u rikthyen pas kaq vitesh në fjalorin tonë emrat “Kufi” dhe “Tela me gjemba” me kujtesën tonë?
Frika ndaj të tjerëve i ka zgjeruar kufijtë, duke krijuar mes nesh një det të ri: nuk është Det i Zi, as Det i Kuq, as Det i Bardhë. Është det mosbesimi. Këtë det nuk do e gjejmë të shënuar mbi asnjë hartë tjetër, përveçse hartës që endet në psikën tonë.
NJERËZIT QË MBATHIN VARKA
Gjithçka dukej sikur më vinte dyshe në jetë. Linda në një shtet të vendosur mes dy kulturave (Lindje/Perëndim), që këndon në dy mënyra (polifoni/monodi) dhe që për flamur ka një shqiponjë me dy krerë. Jetova në një qytet me dy emra (Dyrrachion dhe Epidamn), ku fliteshin të dy dialektet e Shqipërisë (Geg/Tosk). Kambanoret e të dyja kishave të qytetit (katolike/ortodokse) festonin dy Pashkë të ndryshme në rituale dhe në kohë. Edhe myslimanët ishin më dysh: në të njëjtën rrugë kalonte edhe hoxha mysliman me çallmë edhe dervishi islam me taxh të bardhë. Një pjesë e banorëve e nxirrnin bukën nga deti dhe jeta në port. Pjesa tjetër jetonte nga toka, nga fushat, fabrika dhe një minierë qymyri. Qyteti ka teatër modern (ku aktorët vdesin në skenë e ‘ringjalleshin’ në fund të shfaqjes), por kishte edhe amfiteatër antik, ku ata që ishin vrarë në arenë nuk ishin ngritur më kurrë. Heroi kombëtar i shqiptarëve, historia e të cilit u përkthye së pari në gjermanisht nga Johannes Pinicianus, në mes të shekullit XVI, kishte dy emra: Gjergj Kastrioti për vendësit dhe Skënderbe për të huajt, siç dhe ky vend i vogël, me dy dete (Adriatik dhe Jon) për të vendasit quhet Shqipëri, ndërsa për të huajt quhet Albania. Në atë qytet bregdetar lindën binjakët e mi. Mëdyshja po ajo: Të hyjmë në Europë apo të presim ende jashtë. Të ikim po të rrimë në Shqipëri. Kur isha fëmijë kisha dy mendje. Fillimisht deti ishte i bukur. Pastaj deti u bë i mirë. Mes dy deteve – detit të bukur dhe detit të mirë – ndodhej deti armik.
Duke filluar nga viti 2013 deri në vitin 2015, binjakët e mi ishin “emigrantë kulturorë” në Vjenë(…)
(…)Po të qëndronin në Austri, do t’ua kujtonin faktin se e paria e tyre shkoi në opera për herë të parë në Vjenën e vitit 1917. Prej kësaj binjakët e mi mund të kuptonin se për breza të tërë do të mbeteshin ballkanas – shqiptaro-austriakë. Por kur në verë, të ktheheshin për pushime në Shqipëri, të tjerë njerëz do i shpotisnin, duke u thirrur nën zë se a do të mbeteshin gjithmonë në atë zonë të ndërmjetme, do ishin përgjysmë: austriako-shqiptarë, të ikur, emigrantë në vendin e vet.
Në këtë kontekst sjell ndërmend një poezi, të shkruar njëzet vite më parë, ku shqiptarët, në ikje e sipër nga vendi i tyre shfaqen sikur kanë mbathur në këmbë varka dhe anije. Ato varka e anije kanë qenë këpucët dhe opingat, me të cilat ata kanë ecur jo drejt integrimit, por drejt emigrimit. Imazhi i njerëzve që mbathin këpucët-anije tashmë është bërë i shpeshtë. Sa herë që shohim TV, sa herë që lexojmë gazeta apo kur bisedojmë, ne nuk takojmë thjesht njerëz, por takojmë eksodet, emigrimet dhe humbjet në det. Deti i ditëve tona nuk është më deti i kartolinave të bukura, i një herë e një kohe. Deti sot është arena e përgjakshme, ku njerëzit luftojnë për të mbijetuar. Tri thënie më godasin në kujtesë. Moskokëçarëse: Let it be! Ngurruese: Should I Stay Or Should I Go! Ekzistenciale: To be or not to be!
Kamioni lindor
në ambasadën
perëndimore
Deri asokohe kamioni Škoda-LIAZ nuk ishte shquar për ndonjë bukuri apo elegancë dhe para se ta quanin “kamioni i liris¸”, e kishin thirrur “mushka e sertë”. Por, historia ka të papritura dhe më shumë se sa rregull, ofron paradoks. Një i tillë është horizonti prej nga e kishin pritur shqiptarët ardhjen e lirisë.
(…)Nuk po iknin nga Shqipëria. Po i iknin diktaturës dhe viteve të vështira, që do të pasonin. Makina që goditi dhe e shembi murin shqiptar të Berlinit perëndimor, ishte Škoda-LIAZ, një mjet i prodhuar në Çekosllavakinë komuniste – kamion i thjeshtë vetëshkarkues, që asokohe nuk përmendej me ndonjë nderim të veçantë. Pranvera e Pragës kishte mbërritur vonë. Velvet revolution! Sot në Tiranë nuk ka ndonjë monument, që të na kujtojë këtë çarje cezariane, përmes së cilës erdhi demokracia në Shqipëri. Pas gjysmë shekulli izolim nga bota, për shqiptarët rifilloi emigrimi. Histori të ikurish, që shpesh nuk mbërrinin aty ku ishin nisur, por as nuk ktheheshin dot në shtëpi. Mbyteshin. Sa herë që ndodhnin tragjedi në det njerëzit nuk blinin kripë nga kriporet e vendit (që vdekja të mos u hynte në gjellë). Nuk hanin as për muaj të tërë peshk të freskët (mund të jetë ushqyer me trupat e njerëzve tanë që humbën në det). Deti përsëri mes nesh. Mundësi dhe pengesë. Should I Stay Or Should I Go!