Unë në RD, si amerikani në oborrin e mbretit Artur

Arben Biçoku

Mu kujtua titulli i ketij libri të Mark Tuenit, kur pashë gazetën RD me emrin tim në faqe të parë, krah për krah me marshallin.
Sigurisht që as më kanë ftuar e as më kanë marrë leje për të qenë aty. Thjesht kanë marrë një shkrim timin në facebook dhe e kanë botuar. E zakonshme kjo ndër anët tona. Por problemi pse po hedh këto rreshta nuk është ky. Problemi është se për çfarë po flasim ne të dy që jemi ne faqe të parë, unë edhe marshalli, “amerikani dhe mbreti Artur”. Unë jam duke diskutuar se si mund të jetë më i bukur qyteti im. Jam duke thënë nëse është projekti i paraqitur (nga një studio europiane dhe me mjaft arritje në arkitekturë) i duhuri apo pretendoj që ai të qe më mire se sa aq sa është paraqitur. Kurse marshalli është duke diskutuar për bëma me barut. Dhe po thotë që 14 shtatori do duket lule në raport me atë që ka ai tani ndërmend. Ruajna zot nga mendjet e çartura dhe të rrjedhura!
Në fakt nuk është hera ime e parë në RD. Zakonisht emri im ndodhej aty për t’u sharë, për të më hedhur baltë. Ka ndodhur për shume vite kjo gjë. E ne asnjë nga ato sharje nuk ka pasur asnjë grime të vërtetë. E mua asnjeherë nuk më është kërkuar falje për baltën e hedhur. Por sot më është dhënë privilegji për të qenë “amerikani„ në atë oborr. E sikur me vika mirë e po dua ta shfrytëzoj këtë “privilegj”. Po dua ta shfrytëzoj për ti kujtuar marshallit se cila ishtë bëma e tij e fundit me punët e rëndësishme publike në qytetin e Tiranës, Xhamia e Namazgjasë. Një kopje e shëmtuar dhe kitch e Xhamisë Blu të Stambollit, sjellë nga shekulli XVI direkt e m’u në zemër të Tiranës. Pse jo, Tiranën që na e përmendin të lindur në fillimet e shekullit të XVII, pse mos e çojmë dhe me një shekull më parë me një xhami osmane? Nuk mori mundimin për opinionin e arkitektëve vendas se çfarë mendonin. Ndërsa sot që arkitektët i bëjnë kritika Ramës i ngrihen veshët përpjetë. Rama të paktën pati kurajo që edhe pse e kritikova të më therriste në sallë (pavarësisht se kritika ime sigurisht që nuk i pëlqeu).
Mundohem të kthehem pas në kujtesë e të kujtoj se kur ka qenë një rast që marshallin ta ketë kundërshtuar një nga të oborrit të tij për çështje arkitekturë apo urbanistike, e aq me tepër ta ketë bërë publikisht këtë. Nuk më vjen ndërmend asgjë në fakt. Ndaj po preferoj mos zgjatem ne argument. Thjesht po i them marshallit unë do vijoj të diskutoj si mund të behet më i mirë e më i bukur qyteti im, duke e lënë marshallin me 14 shtatorin e me ditë të tjera të ngjashme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *