Nga Dritan Hila
Mynyr Koni mund të na nxjerre gjuhën të gjithëve tani. Bëri gjithë këtë gjullurdi, futi në valle me ministra, kryeministra, presidentë dhe ish presidentë, shtypin, intelektualë dhe media, dhe një ditë të bukur tha që nuk i mbaj mend ata që më kërcënuan! Nuk i mbante mend se kush e kërcënoi, edhe pse u mbyll pesë ditë dhe nuk dilte nga shtëpia! Nuk bënte dot një identikit të kërcënuesve dhe as i identifikonte dot në foto! Ky është rektori i ri që ne do të kemi. Mynir Koni është njeriu i cili do të udhëheqë Universitetin e Tiranës, më të vjetrin dhe me tradita në vend. Do udhëheqë një qëndër që përveçse akademike, është edhe një qendër lirie. Nga universitetet janë përmbysur diktaturat, jo vetëm në Shqipëri por edhe kudo. Universitetet janë streha e antikonformizmit. Dhe të vetmin universitet të hajrit që kemi, do ta drejtojë për katër vitet që vijnë një njeri i cili pasi bëri lëmsh gjithë dynjanë kur u thirr për të identifikuar kërcënuesit, tha që nuk i mban mend. Pas kësaj, Mynyri, mendon ta çojë tymin fjollë dhe të kullandrisë universitetin, influencën e tij, tenderat e tij, pronat e tij. Kuptohet në bashkëpunim me një tjetër, që quhet Dhori Kule. Që mos harrojmë, Dhori Kule u zgjodh për herë të pestë në drejtimin e një institucioni akademik, i cili është Fakulteti i Ekonomisë. Edhe këtë e kishte zënë amnezia. Nuk i mbante mend kërcënuesit. Në mes të tymit, Dhori u rizgjodh dekan duke eleminuar një profesioniste të zonjën si Areti Stringën. Por Dhorin e njohim. Është me çdo pushtet, deri sa ky i garanton postin.
E gjithë afera e zgjedhjes së rektorit, ka pisllëqe brenda. Brenda ka qenë edhe kërcënimi, edhe gangsterët, edhe rivalja që donte me çdo mjet të bëhej rektore. Mynyri e ka njohur kërcënuesin, edhe Dhori gjithashtu. Përndryshe Berisha nuk kishte parë ëndër dhe të dilte dhe përmendëte Shullazin. Rama e njihte kërcënuesin ndryshe nuk ka pse mos t’ia përmendë emrin. Të gjithë do të mundohen të nxjerrin përfitimet e tyre nga kjo aferë. Por ai që u përdor ishte opinioni publik. I cili nuk ka pse lejohet të përdoret në këtë mënyrë.
Disa ditë përpara, kryetari i bashkisë së Lushnjes, u kap në një video ku kërcënonte një fatkeqe që shiste për bukën e gojës, se do ti fuste portofolin në gojë. Reagimi ndaj këtij gjesti, bëri që ai të kërkonte pajtim. Intelektualët e Tiranës u revoltuan me shitësen e cila paskësh tradhëtuar kauzën, duke harruar se emancipimi i popullatës, nuk është aksion që vjen nga poshtë por nga lart. Dhe si mund ti kërkojmë ne dinjitet nënës së 11 fëmijëve nga Lushnja, kur një alamet profesori këtu në Tiranë, befas humbet kujtesën?
E vërteta është që zgjedhjet për rektor, ishin të kompromentuara që nga momenti kur Berisha denoncoi kërcënimin. Që në këtë çast, prokuroria duhej të ndërhynte dhe të merrte si të pandehur jo vetëm kërcënuesin, por edhe porositësin dhe viktimën e presupozuar. Pasi ja ku jemi në situatën ku jemi përdorur të gjithë dhe nuk e dimë se kush është viktima dhe kush fajtori.
Ndërsa ministrja e arsimit duhet të anullojë këto zgjedhje, pasi janë të kompromentuara rëndë, jo vetëm penalisht por edhe moralisht. Nuk mun d ti lihet e ardhmja e brezit të ri një rektori si Mynyri dhe dekani si Dhori.
Nëse kjo nuk ndodh, nëse Koni vazhdon dhe nuk e mban mend autorin e kërcënimit dhe vazhdon dhe është rektor, i bie që Rama e di kush është kërcënuesi, e ka mik, dhe me Konin ka bërë pakt që mos ta denoncojë me emër në këmbim të ndenjtjes rektor. Atëhere duhet të japë dorëheqjen Rama. Pasi dikush këtu jo vetëm ka frikë, por e ka edhe mik krimin. Dhe ky, kushdo qoftë, i duhet krimit, por neve nuk na duhet./dritare.net