Artistët shqiptarë në Paris me traumat e së shkuarës

Qendra Pompidu në Paris “hap dyert” për artistët shqiptarë këtë fundjavë. Janë dy ngjarjet kulturore ku artistët tanë do të prezantohen, “Balkan Insight” në “Prospectif Cinema” në Pompidu dhe “Muzeu on/off”. “Balkan Insight” shfaq disa filma nga zona e Ballkanit. Mes tyre janë edhe filmat e katër artistëve shqiptarë, Driant Zeneli, Endri Dani, Fani Zguro dhe Irgin Sena. Kuratore e këtij projekti është Alicia Knock.
Duke përshëndetur nga Ballkani, këta tetë artistë tentojnë të shqyrtojnë traumat e së kaluarës dhe të rishpikin të ardhmen e horizontit të tyre të përbashkët. Pa qasje në mjetet e tregut të artit apo muzetë e mëdha, ata shpikin modele të reja të punës, shpesh duke punuar së bashku për të rritur dukshmërinë e punës së vet. Mes traditave vendase (Endri Dani, Shqipëri), arkivave kinematografike (Doppelganger, Serbia) dhe arkivave autobiografike (Adela Jusic e Ibro Hasanoviç, Bosnjë/ Fani Zguro Shqipëri), filmat e tyre duken se riformulojmë historinë e tyre në një kontekst të sotëm. Më shumë sesa thjesht rishkrimin e së kaluarës, artistët ëndërrojnë qytetet e së nesërmes (Irgin Sena, Shqipëri) dhe imagjinojnë utopi të tilla si ato të kryera nga Driant Zeneli (Shqipëri).
Kuruar nga Departamenti i “Contemporary and Future-oriented Creation” me Muzeun Kombëtar të Artit Modern, cikli “Prospectif Cinema” nxjerr në dritë prodhimin kinematografik të një brezi të ri artistësh francezë dhe ndërkombëtarë. Është një mundësi unike për të ndjekur ngjarjet e reja dhe zhvillimet në artin bashkëkohor dhe për të analizuar çështjet me të cilat merret. Projeksioni i filmave bëhet nën praninë e artistit dhe bisedimeve me audiencën. Si një program multidisiplinar, “Prospectif Cinema” hap kufijtë mes zhanreve të ndryshme artistike në mënyrë që kinemaja të mund të transformohet në një sallë koncertesh apo në performancë. Endri Dani do të prezantohet me projektin duo “Nga duart e tyre”, bashkë me dizajnerin industrial Matali Crasset, projekt ky i cili do të prezantohet më 27 prill.
Driant Zeneli do të prezantohet më 29 prill, me performancën “Bankrupt Artist”. Përveç performancës, artisti do të prezantojë një video si pjesë e një trilogjie në datën 28 prill. Vepra “Mos e shikoni diellin kur jeni duke e pritur për ta kaluar atë” do jetë ajo e cila do të prezantohet në Paris.
Muze on/off
Propozuar nga kuratorja Alicia Knock nga departamenti “Création Contemporaine et Prospective”, projekti hapës i “Galerie 0-Espace Prospectif” përfshin anekse dhe zgjatime të reja muzeografie.
Muzeu bëhet një vend për VIP-at (Ahmet Ogut), një librari (Meschac Gaba), një vend jo për biseda por për prodhime e riprodhime (Arseny Zhilaev) dhe interpretime (Otobong Nkanga).
Artistët bashkojnë hapësirën e vërtetë dhe atë virtuale. Ideja është që të promovohet muzeu si një eksperiencë, ku instalimet vizuale paralajmërojnë fiksionet në zhvillim. Projekti përfshin kritikë (Mara Ambrozic, Camila Bechelany, Biljana Ciric, Mariana Kostandini, Elena Sorokina), artistë kolektivë (Afrikadaa, Les Gens d’Uterpan) dhe hapësira të pavarura (Bétasalon, Front views). Lista e artistëve përfshin Afrikadaa, Jonathas de Andrade, Eva Barto, Jean-Philippe Basello, Mabe Bethonico, Pauline Brun, Clément Caignart, Delphine Chapuis Schmitz, Nicolas Charbonnier, matali crasset, Endri Dani, Hélène Deléan, Meschac Gaba, Les gens d’Uterpan, Oto Hudec, Sinisa Ilic, Chitti Kasemkitvatana, Taus Makhacheva, Kathryn Marshall, Rodrigo Matheus, Otobong Nkanga, Ahmet Ogut, Sasa Tkacenko, Elizabeth Price, Li Ran, Araya Rasdjarmrearnsook, Charlotte Seidel, Hu Yun, Driant Zeneli dhe Arseny Zhilaev.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *