Gjithkush ka nevojë ta dashurojnë dhe të dashurojë. Gjithkush ka nevojë të duartrokasë dhe të jetë i lumtur. Gjithkush dëshiron besim. Muzika, sidomos kategoria e quajtur Jazz, është një hap i madh drejt të gjitha këtyre”, Martin Luther King, Jr.
Fatmira Nikolli (GSH)
Zonja me kapele, flokë me onde të mëdha, taka, fustane, varëse perlash, buzë të lyera në ngjyra të errëta, e mandej zotërinj me këpucë lustrafine, pantallona me tiranda, xhaketa dhe kapele nga më të ndryshmet. Nëse keni dëshiruar ndonjëherë të ktheheni pas në kohë, të ndjeni stilet joshëse rreth vetes që ju ftojnë në marramendje, nëse keni dashur të hyni brenda filmave që pasqyrojnë jetën e fillimviteve 1900, kjo do të jetë pamja e datës 30 prill në të gjithë botën. Këtë herë, edhe në Shqipëri.
Klubi i fansave të Hemingway-t Shqipëri organizojnë më 30 prill, Ditën Ndërkombëtare të Xhazit, “Swing Marathon”. “Një maratonë ku secili mundet të jetë protagonist, pjesë e një gare të gjatë plot me emocione dhe ndjesi që me siguri i keni harruar. Një event i menduar me shumë kujdes prej muajsh nga senati i HFCA, i cili vendosi që hapja të bëhet në qytetin e Tiranës dhe mbyllja e kësaj maratone në teatrin e mrekullueshëm ‘Migjeni’ të Shkodrës”, thonë organizatorët, duke shtuar se festa bëhet me pjesëmarrjen e disa prej personazheve të “Quelli dello Swing”, të njohur në teatrot italiane e shumë më gjerë, si dhe të bandave vendase. Siç e ka zakon “Hemingway Tirana”, kjo maratonë organizohet për herë të parë në Shqipëri, për t’u kthyer në një event të përvitshëm.
Dita Ndërkombëtare e Xhazit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtë vit do të festohet në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Barack Obama dhe bashkëshortja e tij Michelle Obama kanë organizuar një festë ku të pranishëm do të jenë yjet e xhazit Aretha Franklin, Herbie Hancock, Sting e të tjerë. “Xhazi është shpresë, është terapi, nuk do të kishte kaq shumë nevojë për doktorë nëse në më shumë familje do të dëgjoheshin tingujt e xhazit”, thoshte Danilo Perez, ndërsa Herbie Hancock shprehej se “ne të gjithë duam të jetojmë në një botë xhazi ku të punojmë së bashku, të improvizojmë së bashku dhe të mos kemi frikë të ndërmarrim nisma apo të shprehim vetveten”. Xhazi e arriti kulmin e popullaritetit të tij në Amerikë gjatë periudhës SWING, duke filluar nga ditët e errëta të depresionit të madh dhe duke vazhduar me sukses në fund të Luftës së Dytë Botërore.
30 prilli shënon ditën kur bota feston ditën e xhazit. Është hera e parë që kësaj feste i bashkohet edhe Shqipëria, e cila sipas klubit të fansave të Hemingway-t mandej pritet të jetë i përvitshëm. Këtë vit, do të ketë një maratonë 12-orëshe aktivitetesh për xhazin, që nisin në Tiranë dhe mbërrijnë në Shkodër, ku edhe mbyllen. Nisma është e “Hemingway Fan Club Albania”.
Amerikanët e bardhë nuk e pritën mirë ngritjen e xhazit në SHBA, pasi e lidhën me kulturën e amerikanëve me ngjyrë. Situata e kohës pasqyrohet në filmin hollivudian “The Benny Goodman Story” (1955).
Artistët e parë të Swing ishin afro-amerikanë. Në fillimet e viteve 1930, Fletcher Henderson, Duke Ellington dhe Jimmy Lunceford filluan të përzienin ritmet ‘e nxehta’ të New Orleans, muzikën e kërcimeve urbane të Amerikës me klubet e xhazit të Kansas City dhe Harlem. Edhe pse muzikantë të bardhë të xhazit ishin frymëzuar nga artistët afrikano-amerikanë për të paktën tri dekada, nga viti 1940, një brez i ri muzikantësh të bardhë dhe kërcimtarësh u morën më shumë me këtë muzikë, duke filluar nga Duke Ellington, që i vuri emrin “Swing” më 1932 hitit të tij “It Don’t Mean a Thing If It Ain’t Got That Swing”.
Axhenda
Nisja nga Tiranë bëhet në orën 12:30, nga stacioni i autobusit te Pallati i Kulturës në Tiranë, ose në orën 13:00 në stacionin e trenit, Kashar. Për dashamirësit e Swing, që duan të ikin në Shkodër me tren, pas nisjes festa bëhet në tren: me playlist swing nga Dj Nik H, koncert në tren me bandën shqiptare ‘All in Band’ dhe banda tjetër ‘Trio swing’, shoqëruar nga grupi i baletit swing, mandej sërish playlist swing nga Dj Nik H, improvizime me bandën italiane swing, deri në mbërritjen në Shkodër në orën 17:30. Nisja nga stacioni i trenit në Shkodër për te Kafja e Madhe bëhet me një grup me mbi 100 biçikleta, ku të gjithë do të jenë të veshur swing dhe do parakalojnë në rrugica dhe në pedonalen e Shkodrës drejt piacës. Më tej, në orën 16.30, te Kafja e Madhe, në qendër interpretojnë bandat shqiptare, ndërsa në ora 18:00 bandat italiane në teatër. Koncerte në orën 18:00 do të ketë edhe Kafja e Madhe me bandat shqiptare “Big band”, “All in Band” dhe “Trio Swing”, të shoqëruar nga grupi i baletit në shesh. Në fund të “Swing Marathon” në teatrin “Migjeni” , çiftit më të mirë të kërcimtarëve do t’i dhurohen simbolikat e këtij eventi.