Kisha katolike u pasurua me një grup të ri martirësh, të cilët sfiduan ideologjine komuniste që e bëri Shqipërinë vendin “më ateist në botë”. Lajmi behet i ditur nga Zyra e shtypit e Vatikanit dhe lajmerohet nga peregrinus.al. Ne udiencen qe Papa i ka dhene kardinalit Amato, Prefekt i Kongregates per Shenjterit, ka autorizuar shpalljen e dekretit per “martirizimin e Sherbetorit te Hyjit Vinçenc Prennushi i Urdherit te Freterve te vegjel dhe 37 shoket martire te vrare ndermjet 1945 dhe 1974”.
Janë 38 martiret për të cilët ka mbaruar proçesi i lumturimit, proçes të cilin sot me firmën e tij e mbylli Papa Françesku duke i dhuruar Kishës Katolike shembuj të përkryer të besnikërise se njeriut përball Zotit. Pontifikati i Papa Françeskut, pasurohet me martirë të rinjë të shk XX.
Kush ishin martirët shqiptarë të vendosur në këtë proçes?
Proçesi përmbantë 38 martirë, edhe pse numri i personave të vrarë nga regjimi në odium fidei është padyshim shumë më i lartë.
Emrat e tyre janë: Imzot Vinçenc Prennushi: françeskan, ipeshkëv i Durrësit, poet. U burgos e u torturua sepse nuk pranoi ta shkëpuste Kishën shqiptare nga Selia e Shenjtë; dha shpirt me 19 mars 1949 në birucë të burgut, i shtrirë në dheun e lagësht, të ftohtë, këmbëzbathur, si Shën Fraçesku, bir të cilit ishte!
Imzot Frano Gjini: ipeshkëv, martirizimi i të cilit ia kaloi çdo fantazie kriminale njerëzore: i papërkulur para torturave, si nuk pranoi ta shkëpusë Kishën nga Papa, u dënua me vdekje e u pushkatua më 11 mars 1948.
Imzot Jul Bonati: meshtari i madh intelektual, si u mbyll, për torturë, në çmendinë e si provoi tmerre të padëgjuara në qeli të ndryshme të sigurimit famëkeq, nga Vlora në Durrës, vdiq në burgun e Durrësit, pranë Imzot Prennushit, i cili i jepte shûjtën për shtegtimin e mbram: Vojimin Shenjt.
Dom Alfons Tracki: prifti gjerman, më shqiptar se shqiptarët, bir i Breslaut, u torturua dhe u pushkatua më 25 qershor 1946, në moshën 50 vjeçe.
Dom Anton Muzaj: u torturua në mënyrë çnjerëzore, vetëm sepse nuk pranoi të mohonte fenë: si i thyen këmbë e duar, e liruan nga burgu dhe e nisën në shtëpi, ku vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme mbas pak ditësh, në moshën 29 vjeçare.
Dom Anton Zogaj: famullitar i Durrësit, sekretar i Imzot Prennushit, meshtar jashtzakonisht i përgatitur në të gjitha drejtimet, u burgos e u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjo të qelbur, në sa priste ditën e pushkatimit: 31 dhjetorin e 1946-tës.
Dom Dedë Maçaj: i akuzuar si spijun i Vatikanit, u torturua, u gjykua dhe u pushkatua për rezistencën e tij heroike fetare, në moshën 27 vjeç.
Dom Dedë Malaj: mbeti i paharruar në kujtesën e popullit për mbrojtjen heroike që i bëri fesë së krishterë në gjyqin e organizuar kundër tij, që e dënoi me vdekje. U pushkatua në breg të Liqenit të Shkodrës më 12 maj 1959. Ishte 39 vjeç.
Dom Dedë Plani: dha shpirt në spital më 30 prill 1949, mbasi nuk pranoi asnjë akuzë e u bëri ballë heroikisht torturave mizore.
Dom Ejëll Deda: famullitar i Bushatit, i arrestuar vetëm pse ishte prift, vdiq më 12 maj 1948 në spitalin e burgut, mbas torturash çnjerëzore.
Dom Jak Bushati: e akuzuan se ndihmonte diversantët, se bënte agjitacion e propagandë: pretekste të cilat e çuan në pushkatimin pa gjyq më 12 shkurt 1949.
Papa Josif Mihali: Njeri i Zotit, arrestuar e torturuar veç me këtë akuzë, u mbyt për së gjalli në baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes të Maliqit.
Dom Zef Maksen: meshtar gjerman, pushkatuar me 1946, duke shqiptuar fjalët: “Des i lumtun, tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtár i fesë së Krishtit”.
Dom Lazër Shantoja: meshtár i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë e i artit, u masakrua deri në atë gradë, sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë ta pushkatonin një orë e më parë, gjë që s’munguan ta bënin në fushat e shkreta të Tiranës, në sa ishte në moshën 54 vjeç.
Dom Lekë Sirdani: personalitet i shquar i Kishës katolike: prift, patriot, shkrimtar. U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.
Dom Luigj Prendushi: u arrestua, u torturua dhe u pushkatua si spiun i Vatikanit më 24 janar 1947.
Dom Marin Shkurti: i shuguruar meshtar më 1961, shërbeu pak kohë në Kishën me dyer të hapura e shumë, në atë të heshtimit: guxoi ta vijojë heroikisht shërbimin meshtarak në kohën e terrorit. U arrestua, prandaj, u torturua e u pushkatua në vitin 1969.
Dom Mark Gjani: u arrestua për veprimtarinë e tij meshtarake dhe u shua gjatë torturave të tmerrshme në duart e salvuesve të tij në qeli, me 1945.
Dom Mikel Beltoja: u pushkatua më 10 shkurt 1974, mbasi mbrojti heroikisht e haptas idealet e veta fetare në gjyqin që iu bë pas gjashtë muaj torturash, i cili e dënoi me vdekje.
Dom Ndoc Suma: vdiq 2 vjet mbasi ishte liruar, i shkatërruar, nga burgu, ku u torturua me akuza për të cilat thoshte: “Vetëm kur dola në gjyq e mora vesht pse isha arrestue”.
Dom Ndre Zadeja: prift e poet, pushkatuar pa gjyq në qytetin e Shkodrës, duke u bërë martiri i parë, viktimë e diktaturës komuniste.
Dom Pjetër Çuni: prift; vdiq i varur me kokë poshtë mbi gropën e ujërave të zeza.
Dom Shtjeën Kurti: prift, pushkatuar para banorëve të Gurëzit. Sigurimi e akuzoi se deshi të helmatiste popullin duke shfrytëzuar për këtë, furrat e bukës.
Atë Bernardin Palaj: frat e poet i madh, do të vdiste ne Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, shndërruar në burg për 700 vetë. Nën torturat e Sigurimit mori tetanozin. Qe mbledhësi i parë i Eposit të Kreshnikëve, mitolog i shquar, por edhe muzikant e pianist i talentuar. Gjeni i letrave shqiptare, pasardhës i denjë i Fishtës së madh, i mbytur e i harruar.
Atë Çiprian Nika: françeskan, vdiq nën akuzën e rëndë e shpifëse se kishte fshehur armë në elterin e Shëna Ndout, në Kishën françeskane të Gjuhadolit.
Atë Gaspër Suma: rregulltar, pinjoll i një familjeje, që u shua nga komunistët, u arrestua më 1947 dhe vdiq në burg.
Atë Gjon Shkallu: frati i madh filozof, u pushkatua së bashkut me jezuitët Atë Gjovani Fausti (misionar italian) e Atë Daniel Dajani si dhe me seminaristin Mark Çuni, në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik. U akuzuan për “tentativë arratisjeje” dhe për formimin e Partisë Demokristiane. Që të katërtëve shteti shqiptar u ka dhënë dekoratën “Martir i Demokracisë”.
Atë Karl Serreqi: frati që nuk pranoi të kallëxojë rrëfimin e një të plagosuri në ndeshjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel më 4 prill 1954. Është një ndër martirët e rrallë të sekretit të rrëfimit në historinë e Kishës universale.
Atë Mati Prendushi: frati që mori pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq, u përndoq dhe u fal nga krajl Nikolla e nga mbreti Zog, por u dënua me vdekje nga i ashtuquajturi “gjyq” komunist. Nuk i dihet as varri.
Atë Serafin Koda: frat françeskan; dha shpirt mbasi hetuesët komunistë, duke mos u ngopur me torturat e zakonshme, ia shqyen fytin me thonj.
Vëlla Gjon Pantalia: jezuit; u arrestua ndër të parët e vdiq në spital, mbasi vuajti tmerre të papërshkrueshme.
Fran Miraka, Qerim Sadiku e Gjelosh Lulashi, të rinj që edukoheshin ndër jezuitë; u vranë pse deshën Krishtin.
Maria Tuci: u torturua e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop. Virgjër e martire, vasha dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme.