Nga Entela Hoxha
Shfaqja e Altin Bashës bazuar mbi veprën e Stefan Çapalikut vënë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” prej dy javësh po ndiqet gjerësisht nga publiku. Publikut i ka rënë në sy edhe personazhi i gazetares në këtë pjesë: një vajzë e re, e bukur, elegante dhe fyçkë!
Edhe në gazetari, si në çdo profesion tjetër ka vajza të reja dhe fyçka- gazetarët nuk bëjnë perjashtim nga shoqëria, ata dalin prej saj. Veçse, nëse do të kritikosh, të ironizosh ose të bësh sarkazëm me përfaqësues të një profesioni, mund ta bësh në shumë forma. Shfaqja sjell në skenë një vajzë, që hidhet, përdridhet, me hapa të rëndë, nga një cep i skenës në tjetrin duke e bezdisur publikun. Më shumë se sa diskreditohet gazetari, në të shumtën e tekstit dhe qëndrimit në skenë të vajzës diskreditohet aktorja- se ajo pyetjet di t’ia bëjë si gruas që tregon përdhunimin, ashtu edhe pronarit të biznesit fason, prej të dyve e “nxjerr lajmin” thënë kjo në terma profesionalë. Pra, ajo është gazetare sa i takon lajmit. Në ketë pikë, personazhi që ajo interpreton luhatet mes pyetjeve të duhura e spërdredhjeve pavend të trupit. Nëse shfaqja donte të thoshte se gazetaret “shkojnë” me ata që intervistojnë e ka thënë shumë keq, ose nuk ka gjetur mënyrën e duhur për ta thënë. Nëse duhej diskredituar profesioni i gazetarit, që në këtë vendin tonë si çdo profesion tjetër ka problemet e veta, ajo mund të bëhej shumë thjeshtë duke treguar se gazetari abuzon me lajmin, se nuk e konfirmon, se blihet, se shitet.
Gazetari edhe mund të çirret, por kjo nuk përben problem nëse lajmi i dhënë është i vërtetë dhe i kopsitur. i kopsitur ashtu siç nuk ishte personazhi, që i sulej cepave të skenës në mënyrë të pakuptimtë, pa thënë asgjë me lëvizjet e veta prej kllouni qesharak dhe bezdisës. Kishte një çast ku luhateshin parimet e profesionit, çasti kur ajo nuk e raporton dot vrasjen. Por edhe kjo është njerëzore- është njerëzore te mos mundesh të raportosh vrasjen e ndodhur pothuaj para syve, është njerëzore të mos arrish dot ta bësh. Pa dashur të mbrojmë sojin tonë, atë të gazetarëve, pyetja është: çfarë i tha ky personazh publikut? Që nuk ka gazetarë apo që nuk dinë ta diskreditojnë atë? Ç’është kjo gazetare që ulëret, ç’janë keto gra që ulërasin pa arritur të kumtojnë? Dhe pse duhet kjo gazetare, e këtij soji, mbi të gjitha të ishte femër?!
Është gjithnjë trishtim i madh të dalësh nga teatri pse shfaqja të ka bezdisur dhe është lumturi të dalësh prej saj, e trishtuar se ajo shfaqje të ka prekur.
Gazetarja “Made in Albania” të bezdis, të bezdis aq sa nuk do ta dëgjosh dhe ta shohësh më.