Në vazhdën e takimeve të artit, me datë 25 prill Art House organizon takimin me kuratoren e mirënjohur Galit Eilat. Ky takim mban titullin “Në Art ne Besojmë” dhe do fokusohet ne marrëdhëniet e ndërsjellta të artit me pushtetin.
Në tekstin prezantues së bisedës së saj Galit Eilat shkruan se “ngjarjet e 11 shtatorit na kanë dhënë një leksion mbi pushtetin e imazheve dhe të medias në përhapjen e terrorit dhe në kthimin e tij në diçka të frikshme që dominon imagjinatën publike”.
Sipas kuatores izraelite, imazhet e dhunës shkatërruese që përfshijnë tashmë gjithë planetin, kanë të bëjnë me gjeste njerëzore e ndërkohë i kapërcejnë të gjitha mundësitë për t’i përballuar, duke u ngulitur në kujtesën kolektive dhe në imagjinatën tonë politike. “Imazhet janë lehtësisht të kapshme, e të gatshme dhe si të tilla mund të përdoren e të keqpërdoren nga pushtetet, por edhe nga ato që u kundërvihen këtyre pushteteve. Duke rrëmuar intensivisht në skenat e luftës, ato ndërtojnë një estetikë të saj e cila i jep formë imazheve të artit po aq sa edhe anasjelltas. Në këtë kuptim arti përcakton kufijtë e së dukshmes”, shkruan Eilat. Kuratorja vëren se diskursi artistik modern është ndërtuar mbi thyerjen e rregullave, shkatërrimin e traditës dhe shembjen e tabuve; ai jo vetëm e shoqëron, e përshkruan apo e kritikon luftën, por në të njëjtën kohë është vetë ai që grish për luftë. “Arti modern dhe avangardat prodhojnë imazhe të reja brenda kornizave të vjetra e në këtë mënyrë krijojnë një çarje sociale; një dallim artificial të krijuar prej artit i cili funksionon në të njëjtën mënyrë si dallimet ‘e natyrshme’ brenda vetë shoqërisë. Në thelb, arti është aktiv: ai jo vetëm i përshkruan konfliktet sociale, por merr pjesë aktive në prodhimin e tyre”, shprehet Eilat.
Galit Eilat eshtë një kuratore e pavarur, shkrimtare dhe botuese. Ajo ka qenë drejtoreshë themeluese e Qendrës për Art dixhital në Holon 2001 – 2010 si dhe bashkethemeluese dhe kryeredaktore e Maarav- një revistë arti dhe kulture online 2004-2010. Ka punuar si kuratore kërkuese në Van Abbemuswum në Eindhoven në vitet 2010 – 2013 si dhe ka qënë Presidente e Akademie der Künste der Ëlt në vitet 2012 – 2013. Në mes shume ekspozitave ajo ka kuruar Pavionin e Polonisë në Bienalen e Venecias si dhe edicionin e 52-të të October Salon, në Muzeun e Historisë Jugosllave në Beograd. Së fundi ka qënë bashkëkuratore e edicionit të 31-të të Bienales së San Paolos.