30 vjet më parë, premiera e baletit “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”. Kompozitor Feim Ibrahimi, libreti Ismail Kadare, koreograf Agron Aliaj, piktor Naxhi Bakalli. “Nuk e di nëse mund të përsëritet ndonjëhewre nata e 30 marsit 1986. Në salle kishte shumë-shumë njerëz. Madje edhe në këmbë. Të veshur hijshëm, të kënaqur. Kurrë s’kam qenë në ndonjë shfaqje me aq shumë intelektualë të të gjitha sferave: artistë dhe shkencëtarë, shkrimtarë dhe piktorë, mjekë dhe inxhinierë, agronome dhe drejtues dikasteresh. Dhe kjo sepse, siç shkruan Prof.Z. Shuteriqi: “Baleti per Gjergj Elez Aline është një vepër me tingëllim të plotë bashkëkohor…” Që në çastin kur Ilir Kerni – Gjergji, doli në skenë, filloi magjepsja… Ai sikur e hipnotizoi spektatorin me pamjen e tij, me qëndrimin hijerëndë. Çdo lëvizje e tij ishte e bukur. Çdo kërcim një fluturim. Kishim shtangur. Ç’forcë ka arti i madh! Kurse motra e Gjergjit, Dardina- Albana Sulejmani, ishte po aq e ndritshme sa edhe delikate. Kur kërcente, çdo lëvizje e saj të tërhiqte si në ëndërr. Orkestra ishte në kulmet e saj dhe prandaj, kur dirigjenti Rifat Teqja dha atakun e fundit dhe ra sipari, menjëherë duartrokitje që nuk ndaleshin. Dalje dhe ridalje në skenë e të gjithe trupës së baletit, e të gjitha personazheve me radhë dhe pastaj Balozi (Ludmill Çakalli), Dardina, Gjergji. Ngjitja në skenë e dirigjetit R. Teqja. Dalja nga kuintat e koreografit të shquar Agron Aliaj, e piktorit Naxhi Bakalli dhe në fund Feim Ibrahimi. E gjithë salla në këmbë. E gjithë orkestra me duartrokitje të pafundme.”