Gazetari serb: Bekim Fehmiu më ndryshoi perceptimin për shqiptarët

Pjesa e dytë e kujtimeve të Bekim Fehmiut tashmë mund të lexohet edhe në gjuhën shqipe. Libri i njërit prej aktorëve më të famshëm shqiptarë të të gjitha kohërave, është promovuar të premten në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Prezantimin e ka bërë botuesi dhe gazetari nga Beogradi Veran Matiç, i cili ka shpalosur detaje interesante për librin, takimet me aktorin dhe bisedat e gjata e të vështira me të rreth botimit të memoareve. Libri i njërit prej aktorëve më të njohur shqiptar, sipas Exoress-it është promovuar të premten në Teatrin Kombëtar në prani të shumë pjesëmarrësve përfshirë edhe familjarët e aktorit. Gazetari dhe botuesi Veran Matiç, gjatë promovimit të pjesës së dytë të librit të Bekim Fehmiut, të përkthyer në shqip, ka treguar për përjetimet e tij kur ka lexuar dorëshkrimin – duke thënë se dorëshkrimi ia ka ndryshuar rrënjësisht perceptimin për shqiptarët. Expressi shkruan se libri që shumë shpejt pritet të jetë në treg është përkthyer nga Anton Berishaj, për dallim prej pjesës së parë të cilën Bekim Fehmiu e kishte shkruar në gjuhën shqipe.
Matiç ka rrëfyer detaje interesante të takimeve me Bekimin dhe bashkëshorten e tij.
“…e kam njohur Bekimin duke negociuar rreth pjesës së parë të biografisë Shkëlqim dhe tmerr. Kur e lexova dorëshkrimin më lëvizte truri, kur bëhet fjalë për perceptimin e shqiptarëve, të kaluarën, kulturën dhe vlerat… E kuptova që 95 përqind të asaj nuk e kisha ditur… Kam dashur të flas rreth kësaj i ndërgjegjshëm për vrimën e zezë të madhe që serbët kanë në njohuritë e tyre për shqiptarët, por jo vetëm serbët, por edhe gjithë të tjerët në ish-Jugosllavi, unë u ngulfata në bisedat botues-shkrimtar. Ai dhe Branka (bashkëshortja e Bekim Fehmiut), vinin te unë në orët e pasdites, kur duhej t’i ndaja nga disa orë për biseda, pasi shpjegimi i Bekimit për atë se çfarë ka dashur të thotë ka qenë i gatshëm, tërheqës, e shpesh edhe konfuz sepse sikur ka dashur t’i përfshijë të gjitha problemet, të gjitha njohuritë, shqetësimet… por edhe aspektet sterile ai i argumenton në mënyrë që të merremi vesh për të gjitha detajet, ashtu siç ka bërë me dekada në një kulturë krejtëisht ndryshe …”,- ka thënë Matiç ndër të tjera.
Ai, në pika të shkurtra ka shpalosur edhe përmbajtjen e pjesës së dytë të librit të Fehmiut.
“Libri i dytë i kujtimeve flet për karrierën e tij suksesshme prej aktori në Ish-Jugosllavi dhe në botë, zhvillimin e tij si aktor në karrierën ndërkombëtare dhe për përjetimin e tij të shpërbërjes së Jugosllavisë” ka thënë ndër të tjera gazetari beogradas që është edhe mik i aktorit Bekim Fehmiu i cili kishte vrarë vetën në Beograd në vitin 2010.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *