Kështu janë

José Agustín Goytisolo (1928-1999)

Profesioni i tyre dihet që është fort i lashtë
dhe s’ka ndryshuar deri sot e gjithë ditën
mes shekujsh e qytetërimesh.

S’dinë ç’është turpi, as ç’është pushimi,
vijojnë zanatin pavarësisht kritikave,
nganjëherë duke kënduar,
tjera herë duke duruar urrejtje e përndjekje,
porse trajtuar gati gjithnjë me tolerancë.

Platoni në Republikën e tij s’i qasi.

I besojnë dashurisë
pavarësisht zvetënimeve e veseve të shumta.

Kanë huq të bëjnë goxha mite me fëmijërinë
dhe mbajnë medaljone ose portrete
që, kur janë të trishtuar, i këqyrin në heshtje.

Se ç’gjind të çuditshëm, që nganjëherë bien
në shtretër madhështorë dhe luksozë,
por që s’e kanë për gjë as të zhgërryhen
nëpër jatakët e ndyrë të epshërisë
veç për një trill.

I kërkojnë jetës më shumë nga ç’mund t’u japë,
mezi e mbledhin dot një dorë parash:
nuk është virtyt i tyre llogaria.

Dhe zënë e vyshken çikë e nga një çikë
në një mënyrë paksa qesharake
në mos i paçin vrarë më parë kushedi pse.

Kështu janë poetët
prostitutat plaka të Historisë.
Shqip Aurel Plasari

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *