Sulmi në Bruksel/ Anulohen shfaqja në teatër e promovimi i Eric-Emmanuel Schmitt

“Ngjarjet e hidhura që tronditën sot Brukselin, tronditën edhe paqen tonë këtu ku jetojmë, tronditën edhe botën e letrave, pa dyshim!”-thotë Irena Toçi duke njoftuar anulimin e aktiviteteve të parashikuara për të mërkurën.
Toena dhe Instituti i Librit dhe Promocionit kishin parashikuar nesër, datë 23 mars, takimin me një nga autorët më të rëndësishëm dhe më të lexuar bashkëkohorë të letërsisë franceze, Eric-Emmanuel Schmitt. Autori i botuar me nga TOENA në disa tituj, nuk mundi sot të udhëtonte nga Brukseli drejt Tiranës, siç ishte parashikuar që ai të nisej nga Brukseli në orën 14:00.
Për këtë arsye, si edhe për të respektuar jetët e humbura, Toena njofton anulimin për një kohë tjetër të të dyja aktiviteteve të parashikuara me praninë e shkrimtarit Eric-Emmanuel Schmitt: Takimin e orës 11:00 në Muzeun Historik Kombëtar edhe shfaqjen në orën 19:00 të monodramës “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”. “Fuqia e artit është e madhe ajo e mund të keqen më shpejt se çdo gjë tjetër, dhe lexuesit e Eric-Emmanuel Schmitt-it, që tashmë janë të shumtë, shumë shpejt do të mblidhen për të përjetuar fuqinë e fjalës së shkruar të shkrimtarit të tyre të preferuar, si edhe artin e fjalës së tij si dramaturg. Ju jam mirënjohëse për mirëkuptimin!”, -njofton Irena Toçi drejtore e Toenës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *