Atyre të lindur pas nesh

Nga Bertolt Brecht

“Ç’është e vërteta, jetoj kohë të errëta!
Fjala zemërplotë është marrëzi. Një ballë i lëmuar
dikton pandjeshmëri. Kush zgërdhihet,
me gjasë, ende s’ka marrë
lajmin e zi.

Ç’kohë janë këto, në të cilat
një ligjëratë mbi pemët është thuajse faj:
mban heshtje mbi kaq e kaq krime, andaj!
Ai atje tutje, që rrugën kalon,
vallë s’është i arritshëm për miqtë e tij
që vuajnë?

Ç’është e vërteta, ende e kam një rrogë,
por besomëni, është thjesht rastësi. Nga punët
që bëj, s’duhet të ndihem i ngopur asesi.
Rasti më ka shpëtuar. (po kur fati të reshtë, jam i mbaruar)

Më thonë ha e pi! Kënaqu se ke!
E si mundet të ha e të pi nëse
atë që ha ia zhvat të uriturit, ndërsa
gota ime e ujit i lipset të eturit?
Megjithatë, unë ha e pi.

Do t’më pëlqente të isha i urtë.
Librat e qëmotit thonë se i urtë është
ai që s’e fut veten në belà, ndaj
kalon kohën e pakët pa lepur në bark.

Gjithashtu, ta lesh dhunën mënjanë,
të keqes t’i gjegjesh mirë,
të kursehesh, madje krejt të harrosh,
tjetër cilësi e urtësisë kjo.
Përpiqem por s’mundem:
ç’është e vërteta, jetoj kohë të errëta.

Ju, që nxirrni kokën nga përmbytja
ku ishit fundosur,
mbajini mend,
kur flisni për dobësitë tona,
edhe kohët e errëta
të cilave ua hodhët paq.

Ecnim, duke ndërruar më shpesh vendet se këpucët,
përmes luftërave të klasave, të dëshpëruar
me veç padrejtësi vërdallë dhe kryengritje askund.

Megjithëkëtë dimë
se të urresh ultësinë
të shpërfytyron.
Të urresh padrejtësinë
të ngjir zërin. Ne të ngratët,
ne që u orvatëm t’i hapnim rrugën mirësjelljes,
s’mundëm të silleshim mirë.

Por ju, kur të jetë çasti i duhur
në të cilin njeriu ka mik njeriun,
na kujtoni,
me zemër të bardhë. Shqipëroi: Edon Qesari

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *