SONET NR. XXXVIII
Elizabeth Barrett BROWNING
Më puthi te gishtat herën e parë,
Gishtat e dorës që po shkruan tani;
M’u bë kjo dorë edhe më e bardhë,
Kot nuk e lëviz më, veç kur them: “Pa shih!”
Kur engjëlli flet. Unazë s’më duhet,
Më e çmuar puthja se një ametist
Edhe ca më lart qe e dyta puthje,
Si te balli, te flokët, aty midis.
Te flokët, si një krezmim dashurie,
Si kurorë e dashurisë vetë,
Q’u shenjtërua me afsh ëmbëlsie.
Ma ngjiti në buzë puthjen e tretë
Flakë u bëra dhe qysh atë ditë,
Krenare i them: “I dashur, imi shpirt.”
© shqipëroi Maksim Rakipaj