Një vit më parë, poeti Dritëro Agolli do të ndahej nga jeta pas një sëmundje të rëndë. Ishte përkeqësuar aq shumë shëndeti i tij saqë shkrimtari i madh e priste me durim dhe me një lloj humori fundin, ne nje menyre që mund t’i shkojë vetëm personazheve të tilla.
Në pak poezi të kohëve të fundit ka shpotitje, por edhe ndjenjë humori me veten dhe jetën që e rrethon.
Më 3 shkurt, kur ai do të mbyllte sytë dhe ditë më pas, kur organizoheshin ceremonitë funebre, si pakhere në historinë e Shqipërisë u bashkuan njerëz të politikës, artit, shkencës e të të gjitha fushave dhe bindjeve për t’i dhënë lamtumirën.
Paradoksi i madh ishte se njeriu që i kish kritikuar të gjithë pa asnjë lloj dallimi mori me vete nderimin dhe fjalët më të ndjera nga të gjitha krahët dhe preferencat kulturore-sociale-politike.
Po çfarë e bënte vallë të jashtëzakonshme krijimtarinë e tij dhe personalitetin nga ku rrodhi e gjithë vepra e tij? Ajo lidhej me ndershmërinë dhe thjeshtësinë e skajshme të mendimit, sintezë e gjykimit të thellë, por edhe pasqyrimit të problematikave më të mëdha të vendit me patriotizem.
Me atë që tregoi në të gjallë, ai mbetet përfaqësuesi tipik i letërsisë shqiptare të pas Luftës dhe vepra e tij eci bashkë me evoluimin e kësaj letërsie. Ardhur nga një familje e thjeshtë, ai mbrujti në vetvete, cilësitë më të mira të nuklit të shoqërisë shqiptare. Por, origjina i dha edhe përmasë të lartë të gjithë veprimtarisë së Agollit, që duhet thënë se brenda kanalizimit të saj ideologjik, mbetet një letërsi e mirë.
Duhet thënë se fshati nga erdhi dhe ku u mbrujt formimi i tij bazë, shtuar me formimin tejet cilësor në ish-Bashkimin Sovjetik, i dhanë të gjithë atë sqimë estetike, por edhe formim teknik-kulturor që ai e përcolli në kritere të larta në të gjithë veprën e vet.
I vetëdijshëm për burimin nga vinte, nga lidhjet me atdheun e tij të varfër, ai e filloi karrierën fillimisht në gazetari, pikërisht duke u përpjekur të njohë veten, përmes dy gjinive të jashtëzakonshme, publiçistikës dhe reportazhet nga rrethet.
Me penën e tij shkoi në çdo cep të vendit duke sjellë kujtesë të jashtëzakonshme për vitet e pasluftës dhe deri në vitet ’70, ku ai pasqyroi të gjithë jetën e vendit nga rajone të ndryshme.
Njohja e shqiptarëve në qelizë bëri që kanonet e letërsisë, t’i vendoste në një shtrat tejet të formuar, por edhe në një mënyrë që ta bënin letërsinë e tij sa më të pranueshme.
Agolli tregoi se letërsia e tij ishte një letërsi mirëfilli qytetare, që mbarte jo vetëm shqetësimet më të mëdha të bashkëkohësve, por pasqyroi gjithnjë e më shumë cilësi të larta.
Qytetaria e Dritëro Agollit nuk është një veti abstrakte, tejnjerëzore dhe tejkohore. Ajo është thelbi i qenies shoqërore të njeriut dhe poetit, është e vetmja mënyrë e kuptimit dhe realizimit të jetës. Për më tepër, një kuptim dhe realizim të tillë ai nuk e quan thjesht çështje të brendshme, vetjake, që i përket atij e askujt tjetër. Në qytetarinë e tij, në natyrën thellësisht shoqërore të jetës dhe krijimtarisë së tij, Dritëro Agolli nuk është një njësh çfarëdo, i lirë nga gjithçka dhe nga gjithkush, nuk është një klithmëtar i individualizmit. Për Dritëro Agollin liria e njeriut është vetëm ajo që lind brenda rolit të tij shoqëror. Çdo liri tjetër është vetmi, është fillikatje, është kthim në botën e egërsisë. Dritëro Agolli është një ushtar i vetëdijshëm – në të vërtetë ushtar i spikatur, i shquar – i armatës së madhe të njerëzve të punës dhe krijimit. Dhe për këtë krijimtari qytetare e jo të kullës së fildishtë, për këtë veprimtari të mbrujtur me vetëdije të thellë shoqërore dhe jo me fluturime nga realiteti, ai është gati të dalë dhe të japë llogari jo vetëm përpara lexuesve të kohës por edhe brezave të mëvonshëm, është gati të flasë thjeshtë e ballëlart, shkruan publicisti dhe përkthyesi Shpëtim Çuçka. Ja çfarë shkruan në një moment, kur vendit beson shumë në idealin e paarritshëm socialist.
Ne s’kemi patur aq kohë të shkruanim për dashurinë,
Megjithëse kemi qenë dashnorë të marrë.
Vendi kërkonte këngë për lirinë,
Vendi kërkonte këngë për bukën që piqej në arë.
Vendi kërkonte nga ne poetët e shkretë
Të drejtonim kurset kundër analfabetizmit,
Të ngrinim diga në lumenjtë,
Të ndiznim maleve llambën e socializmit.
……………………………………………………….
Ne para jush do ngrihemi të ashpër si asketë,
Të ngarkuar me kallëza gruri dhe hekura të rëndë. (“Dy fjalë poetëve që vijnë”, 1971)
Kur ka kaluar një vit nga vdekja, Dritëroi duket i gjallë dhe shumë i pranishëm me të gjithë korpusin e veprës së vet, por edhe mesazhet që dha në diskutimet orale, por edhe në aktivitete dhe forumet më të larta të vendit.