Letra e Friedrich Englesit për George William Lamplugh: Natyra e historia

NATYRA & HISTORIA

“I dashur Lamplugh,

Më vjen mire që jeta prej mbikëqyrësi agrikulture po Ju pëlqyeka në mënyrë kaq të çuditshme.

Duhet të ketë qenë lehtësim i madh për Ju mbas punës së mërzitshme në zyrë dhe në Bursën e drithërave të Ist Ridingut.

Për një ndërkohë të shkurtër do të më kishte pëlqyer edhe mua, por vetëm për një ndërkohë të shkurtër.

Për një kohë të gjatë nuk do të bëja dot pa lëvizjen e qytetit. Kam jetuar gjithnjë në qytet. Natyra është madhështore dhe, si një shmangie prej lëvizjes së historisë, gjithnjë i jam kthyer natyrës me kënaqësi.

Mirëpo historia ende më duket edhe më madhështore se natyra.

Natyrës i janë dashur miliona vjet për të prodhuar qenie të vetëdijshme dhe tani këtyre qenieve të vetëdijshme u duhen mijëra vjet për të vepruar së bashku në mënyrë të vetëdijshme: të vetëdijshme jo vetëm për veprimet e tyre si individë, por edhe për veprimet e tyre si masë, për të vepruar së toku dhe për të ndjekur, bashkërisht, një synim të përbashkët të paracaktuar prej tyre. Një synimi të tillë jemi duke ia mbërritur tani. Dhe ta vëresh këtë proces, këtë realizim gjithnjë më të afërt, më të pashmangshëm, të diçkaje që deri më tani në historinë e tokës nuk ka qenë mbërritur kurrë, më duket një spektakël që ia vlen ta shikosh dhe unë gjatë tërë jetës sime të kaluar nuk ia kam shqitur dot sytë. Por është i lodhshëm, sidomos po të mendosh që na takon të marrim pjesë aktive në këtë proces, dhe atëherë kuptohet që studimi i natyrës qenkësh një gjetje ilaçi dhe një lehtësim i madh. Sepse, tekefundit, natyra dhe historia janë dy komponente të elementit në të cilin jetojmë, në të cilin lëvizim dhe në të cilin jemi.

Me shumë të fala prej të gjithë miqve të këtushëm,
Yti Engels”

Nga letra e Friedrich Englesit George William Lamplughut, Londër 11 prill 1893 © fb a.p.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *