Pse demonizojmë gratë e lemë në hije burrat?

Nga Çapajev Gjokutaj

Besnikëria në lidhjet burrë – grua është normë morale për të dyja gjinitë. Por ligjërimi diskriminon dukshëm gratë dhe vajzat.

Për të shënuar burrin jo besnik përdoren 3-4 emra me ngarkesë negative, të tipit: pusht, kurvar, gruar e ndonjë tjetër.

Për gruan ka një lumë syresh si: kurvë, putanë e prostitutë; e përdalë e bishtdredhur; buçe, dosë, xhadë e zuskë; kuçkë, lavire, breklëshuar, shkërdhatë etj. etj.

Ngjan se, si shoqëri kemi patur frikë se po të qenë vetëm dy a tre fjalë përkeqësuese do të humbisnin ngarkesën e do të topiteshin.

I përdorim jo thjesht si fjalë, por si set thikash që duhen mbajtur kurdoherë të mprehura, kurdoherë ne gadishmëri.

Vështirë të thuash pse, kur është fjala për marrdhënie jashtë një lidhjeje, gratë pandehen më të gatshme se burrat. Mund të jetë e kundërta, se dhe mentaliteti priret të mbyllë një sy për burrat.

Atëhere pse nxitojmë që të demonizojmë gratë e të lemë në hije burrat?

Tregon kjo se patriarkati e ka sanksionuar këtë normë favorizuese për burrat nga që këta janë më të pushtetshëm e më të zotë?

Apo dëshmon se gruaja shihej si objekt që pa besnikërinë dhe ndershmërinë zhvleftësohej, madje bëhej edhe i rrezikshëm?

Apo dëshmon se, prej natyre, një pjesë e burrave priren të jenë të dobët, dyshues, frikacakë e gjithë komplekse?

( Nga cikli ‘Djerrinat e shpirtit’ )


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *