Kristo Frashëri dhe dhoma e tij e vogël ku punoi deri në fund të jetës

Akademiku Kristo Frashëri, i cili u nda nga jeta në moshën 96 vjeçare, nuk rreshti së punuari për asnjë ditë. Edhe pse i sëmurë,  për vite të tëra, ai punonte në një dhomë të vogël mbuhsur me libra në shtëpinë e tij. Për shkak të sëmundjes, që i kishte lodhur shikimin, për ta ndihmuar me shkrimet ai kishte një ndihmëse.

I palodhur dhe i paepuur në studimet e tij, Profesor Kristo Frashëri sfidoi çdo pamundësi fizike. Në njërën anë të studios së tij, qëndronte gjithnjë edhe një aparat me oksigjen, i cili e ndihmonte për frymëmarrjen.

Deri në ditët e fundit të profesor Frashëri përgjigjej vetë në telefon, ndërsa kur gazetarët i shkonin për intervista apo për mendimin e tij lidhur me çështje të caktuara, me durim e hijen e një njeriu që kishte kaluar nëpër duar volume të tëra, t’i sqaronte artikujt, fotografitë dhe gjithë ç’duhej që shkrimi të ishte dinjitoz, pa gabime e që nuk linte vend për asnjë keqkuptim.

Studimet historike të Kristo Frashërit shquhen për pasurinë e informacionit, për arsyetimin rigoroz, për mbështetjen në dokumente të besueshme dhe për analizën kritike të dokumenteve, për vështrimin kompleks të dukurive historike në ndërlidhjet e tyre të shumanshme dhe me faktorët veprues të brendshëm e të jashtëm, për objektivitetin shkencor të trajtimit dhe qëndrimin parimor në vlerësimin e faktorit shqiptar në historinë e rajonit e më gjerë; ato dallohen gjithashtu për mbrojtjen e vendosur të së vërtetës historike dhe të interesave kombëtarë ndaj shtrembërimeve (të qëllimshme ose jo) të studiuesve të huaj dhe të bëjnë për vete me qartësinë e shtjellimit, me shprehjen dinamike, të rrjedhshme e të pastër, me stilin shkencor të përpunuar. Publiku shqiptar ka admiruar shkrimet e njëpasnjëshme të tij në shtypin masiv, me të cilat prof. Kristo Frashëri ka sqaruar me argumente bindëse të vërtetat historike rreth disa problemeve të mprehta kombëtare e shkencore, duke dhënë edhe një mësim të urtë për këdo se çfarë është shkenca e historisë, si duhen trajtuar e vlerësuar objektivisht dukuritë e ngjarjet historike, cilat janë përgjegjësitë qytetare dhe detyrat e historianit, si duhet luftuar me këmbëngulje për të mos lejuar që e pavërteta të errësojë të vërtetën, si duhet kërkuar me durim në burimet e ndryshme për të gjetur qoftë edhe ndonjë rreze të hollë drite në periudha të errëta, të padokumentuara, të historisë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *