Deshta me përshkrue Fratin shqiptar, si apostull të fés e të shqiptarís e si martir të njanës e të tjetrës idé, të njânit e të tjetrit ideal. E shoh atê, pështjellë në zhgun të vet, nën shí e mbi borë, tue shtegtue maleve e fushave arbnore me vetmohimin mâ të plotë qi i ka lânë porosí e shêmbull Shênjti i madh, per me i diftue rrugën e shpëtimit vllaut të vet, për me i lenue plagët e shpirtit e të trupit, për me i largue të liga e rreziqe. E shoh në kishën e vocërr të nji katundi të humbun të malsive t’ona tue predikue udhën e Zotit, e shoh në qelë të vet tue i shtrue bukën të vorfnit a mikut t’ardhun si në shtëpí të vet e ndërmjet nji kafshate e tjetre tue i bisedue punë bese, burrnije e kombtarije, tue e nxitun me qênë njerí, shqiptar e i krishtenë i mirë. E shoh ndër zyra tue qamë hallin e ndonji katundari të mjerë qi e ka zânë sherri me ndonji nëpunës të padrejtë. E shoh tue ndezun zêmrat e burrave shqiptarë për lirí kur Atdheu i ynë i dashtun vuente edhe nën zgjedhën e robnís. E shoh tue rëmue e kërkue e mbledhun, si thënegla ushqimin, thesarët kombtarë mal në mal e fshat në fshat, të ruejtun ndër kângë e zakone, ndër vaje e ligjiresa, ndër fjalë e përralla të moçme e në gjithë ça përbân vetësín e nji kombi.
E shoh, e çëmoj, e admiroj, e due e i falem për të gjitha këto.