Drejtorja e re e burgut të grave në Shqipëri është Elona Demollari.
Demollari ka qenë prej 6 vitesh këshilltare në kabinetin e Avokatit të Popullit, një nga institucionet më të rëndësishme në monitorimin e burgjeve në Shqipëri.
Ajo vjen në krye të këtij institucioni pas disa eksperiencave të rëndësishme në administratën e shtetit, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut, burgjeve dhe institucioneve të kujdesit social.
Por, cilat janë eksperiencat e saj lidhur me fushën të cilën ajo do të menaxhojë?
32 vjeçarja e diplomuar në Universitetin e Tiranës për Media dhe Komunikim dhe me një Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim pranë këtij Universiteti, ka një eksperiencë studimore të shtrirë në IEPV-të më të rëndësishme të vendit, drejtoritë e policisë dhe komisariatet vendore, si dhe në disa nga institucionet model të izolimit dhe kujdesit social jashtë Shqipërisë.
Demollari ka kryer trajnime mbi metodologjitë e inspektimit të burgjeve në Burgun e Palermos monitorim i përbashkët me Difensore Civico në Itali, në burgun e grave Eleona, Thiva në Greqi ku vuajnë dënimin 43 gra shqiptare si dhe në burgun Soto del Real në Spanjë.
Gjithashtu, ajo ka studiuar gjithashtu pranë Avokatit të Popullit në Portugali mekanizmat e Parandalimit të Torturës, standardet europiane dhe problemet e mbipopullimit në burgje dhe ka qenë pjesë e grupit të trajnuar për inspektimin e institucioneve të kujdesit social pranë Avokatit të Popullit të Republikës Çeke.
Sakaq, për një periudhë 4 vjeçare ka qenë një nga drejtueset e Projektit Danez ” Forcimi i kapaciteteve të Avokatit të Popullit:monitorimi i burgjeve, pushteti vendor dhe organizatat e shoqërisë civile si dhe drejtore e revistës së përmuajshme të Avokatit të Popullit me fokus gjendjen e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri. Drejtorja e re e burgut të grave së fundmi ka punuar në kabinetin e Drejtores së Përgjithshme të Doganave, Belinda Ikonomi.