Shënime në kapërcyell të viteve nga ati im, shënime që për mua frymojnë shkruan Elona Agolli për të atin, Dritëro Agolli teksa pret fundvitin e parë pa të duke risjellë edhe copëza ditari të shkrimtarit.
Një botim me shënime të tij pritet të dalë në dritë në muajin shkurt kur shënohet 1-vjetori i ndarjes nga jeta.
Viti 2009. Arrita deri këtu dhe jam një hero, se mund të mos e kisha arritur. Të jetosh është heroizëm; mund të vdesësh edhe në fillim të jetës, duke mbledhur lule dhe duke ditur se ç’janë fishekët. Ndaj unë në këtë ditë të Vitit të Ri luaj me Emilin dhe Drisartën, bëhem si plak i Vitit të Ri, duke vënë një mjekër dhe mustaqe. Në fakt mjekrën ma vënë Emili dhe Drisarta, dy ëngjëj të vërtetë.
Sadija krah meje shikon me një fytyrë të mallëngjyer e të përvuajtur plot trishtim e dashuri.
Ajo e ndjen se këtij plaku, mua, po i vjen fundi. E kuptueshme. Shumëzimi i viteve është shkurtimi i ditëve të pleqve. Ja, unë i telefonova Arqile Aleksit, që ka qenë me mua gazetar në “Zërin e Popullit” në fund të viteve 50-të dhe në vitet 60-të të shekullit të kaluar. Ia dëgjova zërin sikur i vinte nga një botë tjetër.
“E hëngrëm edhe këtë gjeldeti”- më tha .
Kishte të drejtë. Ne hanim gjelat e detit në shekullin e 20-të, por nuk thoshim: “E hëngrëm dhe këtë vit”. Ishim të rinj.
1 janar 2009
Shënime, Dritëro Agolli.