Telenovela shqiptare u ndërpre, televizionin e mbyti politika, debatet dhe talkshout e pafund e pa bukë. Pepo kthehet me serialin ‘Familja’

Le ta themi që në fillim:  “Familja” është një film i gjatë serial që i ka munguar publikut tonë. Me të jo vetëm qesh dhe argëtohesh, por pas mbarimit të cdo episodi të bën të mendohesh dhe të gjykosh ku po shkon familja sot, sepse është një serial familjar që mund të shihet e shijohet nga e tërë familja.

Në qëndër është një familje tipike shqiptare në të cilën ndodhin situata të përditshme për të gjithë, por që tek ata kthehen në komike, apo edhe në dramatike.

Autorët

Në film gjen veten çdo shqiptar, pavarësisht nga mosha. Të gjitha ngjarjet rrotullohen rreth një familjeje, ku natyrshem jane te gjitha moshat, qe nga vjehrra deri tek kalamani me  i vogel. Ne karakteret dhe situatat e kësaj familjeje të gjithë mund të gjejnë veten nga pak.

Kjo ” rrjedh” në film nga baza e bazave, që është skenari, shkruar me mjeshtëri nga Koloreto Cukali. Shumë më përpara ai ka bërë emër te mire në shtypin shqiptar me shkrime plot kolorit dhe origjinalitet, ku zhbiron probleme të mprehta të ditës. Cukali është një gazetar i angazhuar për hallet e familjes dhe të shoqërisë së sotme shqiptare. Tani me humorin, ironinë dhe dialogun e gjallë, vjen si shkrimtar i pjekur i ekranit, pas shumë përvojave në fushë të filmit dhe të Tv.(Më të fundit episodet e bukura me Ermal Mamaqin)

Pikërisht mbi këtë material premtues dhe ambicioz, punuan me përkushtim për ta kthyer në film, Ylli Pepo dhe Edmond Mandro, regjisorë të dy brezave krejt të ndryshëm. Pepo vjen me një përvojë shumë të gjatë, gati 50 vjecare. Ndersa Mandro i takon nje brezi krejt tjeter.

Por edhe Edmond Mandros, sot nuk i mungon një stazhme filmin e vecanërisht me humorin në Tv. Filmi i tij i parë “Tirana ’14”, një kinokomedi e mirfilltë i xhiruar 2 vjet më parë u prit me interes të madh, gjë që i hapi portat drejt filmave dhe serialeve të ardhshëm.

Të dy punuan me katër duar mbi një vepër, që përbën një risi të bukur për ekranet shqiptare.

Aktorët dhe personazhet

Situatat komike dhe dramatike krijohen pasi karakteret e anëtarëve të familjes janë shumë të ndryshëm nga njëri tjetri, dhe secili i sheh të tjerët si „humbës‟. Karakteret dhe interesat e tyre aq të kundërta, por që priten në të njëjtën pikë – në bërthamën e përbashkët – krijojnë situatat komike. Personazhi kryesor Mimi, nën një interpretim brilant te Diana Prokos, mendon që martesa me Xhimin në një moshë të re i ka prerë karrierën. Familja e saj është familje e ngritur intelektuale, ajo vetëm ka bërë të mesmen te liceu, ndërsa i shoqi është shofer. Ajo përpiqet të ndjehet si grua e realizuar dhe forma e vetme që gjen është të hapë një Floktore, ku e vetmja kliente është Leta, komshia e saj. Ajo është vazhdimisht xheloze për Xhimin dhe dy gjëra ndërhyjnë vazhdimisht në jetën e saj: mamaja, dhe dëshira për të shfaqur cilësitë si këngëtare opere. Tërë kohën e trajton të shoqin si “looser”( humbës.)  Praktikisht nuk bën asgjë. Fëmijët rriten vetë, pa qenë nevoja të ndërhyjë shumë ajo.

Proko është një aktore me diapazon të gjërë, me filma të shumtë në karrierën e saj të gjatë e të suksesshme. Por themi me bindje se ky ështe roli më i mirë i saj, më i plotë e më i arrirë. Pa të, zor se dikush tjetër mund ta pasuronte dhe ta ndërtonte figurën e Mimit me aq humor dhe autoironi.

Xhimi, nga ana tjetër ka pasë ëndërruar të bëhej sportist, por duke nisur një jetë familjare i duhet të punojë për të rritur fëmijët. Ai punon në një Ministri, dhe përgjithësisht karakterizohet nga sëmundjet tipike të punonjësve të administratës: dembelizmi, vrasja e kohës dhe ankimi i vazhdueshëm për çdo gjë. Xhimi mendon që funksioni i tij në këtë familje është reduktuar vetëm që të sjellë para, ndërsa i Xhildës e kalamajve – të harxhojnë paratë që fiton ai.

Kësaj i ka mëshuar me të drejtë aktori Gjergji Trola që është pa dyshim një zbulim i bukur për kinemanë shqiptare. Profesionist dhe me bagazh natyral aktorial, ai gjen detaje shumë të sakta e të papriura për ta bërë personazhin jo vetëm të besueshëm por edhe shumë aktual. Këtë tip të mishëruar nga Gjergji Trola,e gjejmë gjithandej sot.

Janë ata tipa që nuk u pëlqen jeta që bëjnë. Kur vjen ora për të shkuar në punë, thotë: “Bobo, kush shkon në punë”. Kur vjen ora për të ardhur në shtëpi, thotë: “Bobo, kush kthehet në shtëpi”. I vetmi ngushëllim për të është TV.

Ola është një adoleshente bukuroshe por që si gjithë adoleshentet, më shumë se të mësojë do donte të ishte e pasur dhe e famshme që tani. Fakti që prindërit e saj nuk janë të pasur, për të është shenjë e sigurt që janë humbës.  Përmes saj shohim botën me sytë e një adoleshenteje të sotme. Dhe këtë e sjell aq bukur me lojën e saj të zgjuar e moderne artistja e re Markela Dede, që u pëlqye aq shumë edhe në spektaklin “Dance with me, (Vallëzo me mua). Ajo është një zgjedhje e mëncur nga regjia, vecanërisht në bashkëpunim dhe harmonizim me gjithë personazhet e tjerë.

Armando është një para adoleshent i zgjuar e studioz, por që wordpress nuk është aspak i suksesshëm në shoqërinë e shokëve. Prindërit, dikur nxënës të dobët dhe vetë, duket sikur nuk e vlerësojnë shumë faktin që ai merr nota të mira. Është i vetmi i zgjuar në familje, por i injoruar nga pjesa tjetër e familjarëve. Është autosufiçient. Familja s‟i ka blerë kurrë asnjë rrobë. Ai që u zgjodh për këtë rol mes disa dhjetra probistesh, Florindo Dori është një aktor amator, gjimnazist i shkollës “Ismail Qemali”

Leo, është një fëmijë që po rritet vetë. Babai e thërret “Plumb Qorr”. Madje, ai i bezdis të tërë me pyetjet e tij dhe askush s‟ia ka ngenë, të zënë siç janë, me veten e tyre. Nganjëherë, harrojnë që e kanë në familje, si psh, harrojnë ta marrin nga kopështi, etj. Kledmir Abip u zgjodh mes shumë moshatarëve të vegjël, dhe pasuroi ekranin me pafajësinë dhe naivitetin e moshës që ndjell humor të papritur me batutat e tij.

Leta, është një komshie beqare e që jeton vetëm, komshia tipike shqiptare, që hyn pa trokitur. Ajo bëhet pjesë e situatave të Familjes, në mënyrë të natyrshme e pa ia kërkuar kush. Aktorja e njohur Natasha Sela me realizmin dhe mjeshtërinë e lartë të saj, të le përshtypjen sikur është prerë për këtë rol sepse këtu jep edhe më të mirën duke u kujdesur që nga e qeshura e deri në veshjet dhe lëvizjet.

Një surprizë më vehte, na bën Aishe Stari, artistja e mirënjohur durrsake, e qindra roleve komike për vite e vite me rradhë, aktore e pandarë e skenës dhe e filmit. Sa herë vjen, sjell me vehte nje freski të madhe humori dhe të qeshura pa fund.

Në film janë edhe Ermal Bardhi, një nxënës i talentuar dhe premtues, Soni Mula, Odeta Mandro, Xhevahir Zeneli etj në disa skena episodike, qe e “kripin” filmin me humorin e vecante te tyre.

Realizuesit

Procesi i xhirimit te një filmi (e di cdo kineast) është  një histori me plot te papritura , që mund të bëhet një film më vehte.

Kështu ndodhi edhe me realizimin e filmit “Familja”.  Regjisoret i kërkuan producentit të njohur Anton Grishaj, prodhues filmash me nivelin më të lartë sot në Shqipëri, të krijonte kushtet që për “Familjen” të punohej… si në familje. Që do të thotë izolim i plotë i të gjithë pjestarëve të grupit nga zhurmat dhe “rrëmeti” i perditshem.

Në plazhin e shkretë  dimeror, në Malin e Robit, për ditë e ditë të tëra, xhirohej deri në mesnatë. Këtu në kompleksin e Bujar Xhaferrit,  një dashamirës fisnik i artit, s’pipetinte asgjë vec zërit të aktorëve dhe të realizuesve, që kërkonin të merrnin maksimumin dhe më të mirën.

E tillë është kamera e Denald Grepckes, drejtor fotografie, që tani shpreh qartë talentin e tij në përzgjedhjen e kuadrit dhe në imazhe plot ngjyra dhe kompozime origjinale. Mjeshtri i zërit Kristaq Kristo i njeh mirë të gjitha gjinitë e filmit. Vecanërisht në serialet televizive dallohet hapur puna e tij krijuese me zërin dhe zhurmat. Ndërsa ndricimi mer vlera të reja nën kujdesin e Sokol Këndellës. Producenti Anton Grishaj dhe ajo ekzekutive Lorina Pepo kanë bërë një organizim perfekt te setit te xhirimit për të nxitur edhe me tej ambicjen artistike të regjisë.

Ndërsa në postproduksion u angazhua Gjergji Pano, tashmë më i njohuri në filmin shqiptar dhe me i kerkuari për fushën e tij. Muzika e kompozuar nga Edmond Mancaku, me notat e saj, mbështet dhe rrit vlerat e humorit në film.

Disa probleme dhe ca fjalë  te fundit

Personazhet e filmit  duken sikur janë të detyruar që të jetojnë nën një strehë, ndoshta janë të tërë “losers”, humbes, por, në fund të fundit ata e duan dhe e mbrojnë njëri-tjetrin, sepse janë një familje.

Ata janë një familje e diteve tona me plot halle dhe te papritura, por edhe gazmore, që na bëjnë ti duam të jemi mes tyre.

Tamam, 15 vjet më parë, Ylli Pepo xhiroi telenovelën e parë shqiptare “Njerëz dhe fate” 20 seri, me skenar te Ruzhdi Pulahës. U lëvrua kështu në Shqipëri edhe një nga gjinitë kryesore televizive, ndoshta më kryesorja edhe më e rëndësishmja. Por, për fat të keq, në këtë rrugë u vazhdua me hope, sepse televizionin e mbyti politika, debatet dhe talkshout e pafund e pa bukë, që vetëm me televizionin s’kanë të bëjnë. Me radion po. Dhe le t’ja lemë asaj. Imazhi, si simbol i TV,  flet vetë, ai nuk do fjalë, do art.

Dhe ngjarjet, problemet dhe hallet e kohës vijnë bukur në ekran, pikërisht me imazhe dhe jo me inflacion fytyrash të shplara e të stërkonsumuara politikanësh e opinionistësh.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *