Një këndvështrim mbi Shqipërinë, Jeruzalemin dhe SHBA-në

MORALIZIME

Nga Ardian Vehbiu

Shumë prej atyre që shprehën zemëratë ndaj votës së tanishme të Shqipërisë në OKB, e lidhën këtë votë me çlirimin e Kosovës prej sundimit serb, me ndihmën vendimtare të SHBA-ve, duke e akuzuar qeverinë e Ramës për “mosmirënjohje.” Dhe ky është qëndrim moral, ndryshe nga ai tjetri që kërkon prej qeverive shqiptare në përgjithësi, dhe kësaj të tanishmes në përgjithësi, që në raste të tilla të shohin interesat kombëtarë tanët, jo interesat kombëtarë të së tjerëve. Brenda këtij qëndrimi moral, virtyti i lakuar është mirënjohja, që përfaqësuesit e shqiptarëve, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, nuk kanë munguar ta ushtrojnë ndaj SHBA-ve, me sinqeritet a me të shtirur – madje duke e bërë pro-amerikanizmin parim strumbullar të politikës së jashtme. Dyshimi se ndonjë prej këtyre udhëheqësve politikë ia detyron pozitën e vet udhëheqëse pikërisht ndikimit të SHBA-ve në politikën e brendshme të vendit të vet nuk mjafton, për ta skualifikuar mirënjohjen, si reagim moral që meriton respekt.

Nga ana tjetër, po këta predikues të pro-amerikanizmit, kur flasin për ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë në vitin 1999 nga ana e NATO-s, me SHBA në krye, nuk para kanë dëshirë t’ia atribuojnë interesave strategjikë të NATO-s ose atyre specifikë të SHBA-ve, por e shohin si manifestim model të një lufte të drejtë, ose të një ndërhyrjeje të armatosur në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës, kundër dhunës që po ushtronte ndaj tyre Beogradi dhe për të vendosur drejtësi. Ja ku del, në këtë kontekst, një virtyt tjetër, i ndryshëm: drejtësia. Tani, që në etikën e Aristotelit, ky virtyt zë vend mes katër virtyteve kryesore – krahas prudencës, vetë-kontrollit (temperancës) dhe guximit; pa folur për rolin e tij në politikë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Të gjithë këta që predikojnë nevojën për të treguar mirënjohje ndaj “Amerikës”, sepse pa “Amerikën” nuk do të kish pasur drejtësi për “kosovarët”, dashur pa dashur vendosin hierarkitë e tyre mes virtyteve – duke nënkuptuar që drejtësia është virtyt i padronit, ndërsa mirënjohja virtyt i vasalit; ose duke ia deleguar një padroni ushtrimin e virtytit superior të drejtësisë, qoftë edhe me arsyen praktike se vetëm ky padron, ose “i fortë”, i ka mjetet për të vendosur drejtësi; dhe se të vegjëlve nuk u mbetet veç të gjejnë strehë në drejtësinë e projektuar nga tjetri. Ne na pëlqen drejtësia, thonë këta, aq më tepër që jemi të vegjël dhe nuk projektojmë dot forcë; por marrëdhëniet me të fortët duam t’i vendosim dhe t’i kultivojmë mbi bazën e një virtyti tjetër – mirënjohjes.

Është një arsyetim që përzien moralin me pragmatikën, por që nuk e fsheh dot deri në fund logjikën e xhunglës, që i nënvendoset. Aq më tepër që, virtyte minore si mirënjohja e humbin vlerën, në mos edhe kuptimin, të shkëputura nga konteksti i drejtësisë dhe i paanshmërisë (fairness). Për të sjellë një argument ad absurdum, edhe vetë i forti të cilin e njohim si të tillë ndaj nesh duke ia mirënjohur praninë, dhe prej të cilit presim të veprojë me drejtësi ndaj nesh dhe të tjerëve, nuk mund të jetë i drejtë me ne, dhe as të na respektojë si mirënjohës, në qoftë se nuk kërkon dhe nuk pret prej nesh të jemi njëlloj të drejtë. Asambleja e OKB-së do të ishte trualli ideal për ta vënë këtë në provë, si vendi gjeometrik i fairness-it në marrëdhëniet ndërkombëtare; ose vendi ku një i vogël mund t’i tregojë të madhit se ka aq kurajë (tjetër virtyt madhor) sa të meritojë mbrojtjen prej tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *