Nga fëmijëria te pengjet, Helena: Po të isha burrë, do të ishte ndryshe, por Kadare vlen më shumë se gjithçka

Deri dje, nuk ka qenë aq e zakonshme që Helena Kadare të shfaqej jo vetëm pa të shoqin, por pa pasur një arsye konkrete si promovimi i një libri të ri, apo ngjarje të një rëndësie të ngjashme. Kohët e fundit, duket se është çliruar ca. Për shembull, as e ka bërë dysh fjalën kur “Hemingëay Bar” në Tiranë i ka propozuar që të zhvillojë një bisedë me miq lexues në barin e tyre.

Bashkë me Ylljet Aliçkën dhe disa miq të saj, Helena është ulur së pari si të ishte një kliente që vinte nga 1920-ta, e mandej u është përgjigjur të gjitha pyetjeve që i ka drejtuar moderatorja e kësaj bisede, përkthyesja Aida Baro. Po ndalemi pak nëpër të gjitha përgjigjet që Helena Kadare iu përgjigj hapur e pa u menduar shumë, njësoj si të ishte duke folur me miqtë që dikur kalonin orë të gjata duke biseduar për librat e ndaluar. E para, dhe më e rëndësishmja, ishte Tirana…

TANI NUK DUA TË RRI MË NË PARIS

Kujtoi një rrëfim të një miku në Paris. Ai vinte nga jugu i Francës dhe e adhuroi për 15 vjet Parisin. Një ditë më tha, më zuri mërzia me të. Unë nuk e besoja në fillim se mund të më vinte mërzia me Parisin.

Por tani, them se ka ardhur ky moment edhe për mua. Ndihem shumë mirë këtu. Do doja që jeta ime të përfundonte këtu, jo atje. Jo se më është mërzitur, por ndihem këtu më mirë.

Miqtë e huaj nuk mund të jenë kurrë njësoj me ata shqiptarë “Edhe miqtë, nuk mund të jenë kurrë aq të afërt sa shqiptarët. Unë mendoj se të vjetrit, ata që kemi pasur dikur këtu e që vazhdojmë t’i kemi, janë diamante. Kemi pasur një mik, Gim Myftiun. Na jepte libra fshehurazi. Vinte rrinte te ne. Edhe ai si Ismaili kishte frikë. Por, Ismaili gjithë temat që ka shkruar ia tregonte Gimit. Na zinte mëngjesi duke biseduar e më pas niseshim për në punë. Vinte për çdo natë. Një miqësi të tillë nuk e përfytyron dot në Paris. Mbase ka, por nuk e ndjej. Në Francë më dukej se më kuptonin në fillim, pastaj nga pyetjet që bënin, kuptoja që nuk kishin marrë vesh asgjë. Askush s’e kuptonte anormalen tonë. Ndaj Kadare, thotë s’kam qenë disident, kam bërë letërsi normale në një vend anormal. Më kujtohet një herë se si bisedova me një mikun tim deri në mëngjes dhe mendova se sa mirë kishim kaluar, sa mirë ishim kuptuar. Kur ai, në fund, më bën një pyetje që i rrëzoi të gjitha ato që kishim thënë e kishim bërë. Mjaftoi një pyetje e vetme që të kuptoja distancat dhe të mendoja që nuk më kishte kuptuar në asgjë”.

NËSE DO TË ISHA BURRË DO TA KISHA MË TË THJESHTË

“Është shumë e rëndësishme që njeriu ta dojë punën që bën, nuk mund të ketë njeri më fatlum. Për shoferët, Ismaili thotë se, sa punë të mërzitshme kanë. Sidomos ata të metrove. Ndërsa unë e doja punën që bëja. ‘Kohë e pamjaftueshme’, më shkoi 15 vjet për ta shkruar. Sigurisht, nëse do kisha qenë burrë do të kisha shkruar më shumë, patjetër. Por, puna e Kadaresë vlente më shumë. E adhuroja atë që bënte. Nuk e ekzagjeroj dhe nuk kam qenë e detyruar. Por, kuptova që vlente letërsia e tij. Imja do ishte letërsi mesatare, ndonjëherë pak më e mirë se mesatarja. Ismaili s’ka bërë punë tjetër, veç letërsisë. Unë zgjohesha në 2 të natës, kur lindi vajza, për të zënë radhën për qumështin, por nuk dua të kujtoj këtë, sepse ia ka vlejtur e gjitha. Kryesorja është ta adhurosh atë me të cilin je dhe unë e kam bërë”.

KURESHTJA E MBAN NJERIU GJALLË

“Dua të di gjithçka. Nëse nuk e ke kureshtjen, është si vdekje. Nëse s’ke më aftësinë për t’u habitur, ke humbur. Habia tregon se diçka më shumë kërkon nga jeta”. Nga ana tjetër, Ylljet Aliçka kujtoi bisedat me Aznavour që thoshte se kureshtja të mban gjallë. Sa i takon fëmijërisë si dhe asaj se çfarë e shtyu te letërsia, Helena Kadare kujtoi se ka një korrespondencë mbi leximet me një shoqe. “E gjithë fëmijëria ime ka qenë një korrespondencë letrash për leximet, ishin 20 faqe letër aq sa u bë keq drejtori i gjimnazit; dukej si konspirative. Çfarë shkruanim ne… babai gjithashtu më mbante nën kontroll se mos më vinte ndonjë letër dashurie. Prandaj leximi ishte një nga kënaqësitë më të mëdha, sepse nuk kishim argëtime të tjera. Dickens ishte nga kënaqësitë më të mëdha, “David Koperfild”… Vedat Kokona nëse e keni njohur, ishte shumë burrë i pashëm, me flokë të bardha dhe e quanim kështu si hero librash, pra, jetonim me ëndrra. Dhe këto ëndrra nuk është se na kanë bërë të mendojmë për një princ, që nuk ekziston. Nuk është e vërtetë. Unë kur i lexoja personazhet, vajza të reja apo djemtë, më dukej shumë i madh një personazh në moshën 19-vjeçare, tani që e mendoj është një marrëzi. Unë doja t’i afroja ata te mosha ime, sepse përndryshe nuk e justifikoja dashurinë e saj, doja të ishim në të njëjtat kushte. Kujtoj që isha vetëm 15 apo 16 vjeç. REALIZIMI PROFESIONAL Mendoj se kam pasur një jetë të realizuar, por jo të lehtë. Vështirësitë ndoshta i kanë dhënë edhe sharm, por ka pasur gjëra absurde. S’kanë qenë të befta, kanë qenë ngjarje të jetës, por prej natyre unë kam dashur t’i sheshoj gjërat. Skam dashur të dal unë e fituar, por të vendos paqen, t’i sheshoj gjërat. Këtë kam kërkuar të vë në jetë, paqen, sepse nuk jam njeri i konflikteve. Tani të gjitha gjërat duken më të trishtueshme, sepse ti nuk e ndjen që je i ri. Kur ti e kupton se çfarë është jeta, kthen kokën dhe sheh që ajo ka mbaruar. Në rini nuk je shumë i vetëdijshëm, prandaj edhe nuk di ta shijosh. Me zor mbushej dita, nuk kishte fund… Ndërsa tani nuk mjafton! Nga ana tjetër libra me zor gjendeshin, nuk kishte një film.

FATI ËSHTË VENDIMTAR NË JETËN E NJERIUT

Në përgjithësi kam përkthyer gjërat që kam dashur unë të lexoj dhe që më kanë pëlqyer. Unë besoj se gjithçka, të gjitha zgjedhjet tona, nuk janë aq të fuqishme sa rëndësia e fatit! Këtë e ilustroj me librin e një neurokirurgu anglez që kam lexuar kohët e fundit, më i madhi në Europë. Ai ka botuar një libër “Mos bëj dëm”. Ai flet për të gjithë eksperiencën e tij, më shumë për dështimet, megjithëse është tepër i madh.

E ka shkruar aq bukur atë libër dhe është përkthyer kaq mirë nga dr. Petrela, sa nuk mund ta lësh pas dore. Ai thotë se në zemrën e çdo kirurgu ka një mbaresë të vogël. I ka përshkruar si në një libër policor. “Në të gjitha vitet e mija, sa më shumë shtohej përvoja, aq më shumë bindesha që rolin kryesor e ka fati, dhe këtë ua them unë që jam ateist”, thotë ai.

“Unë e kisha zili nënën time, – thoshte – që besonte te diçka, besonte te Zoti”, por në fund edhe ai arriti në këtë konkluzion që roli vendimtar i njeriut është fati. “Pse ta jep fati ty këtë mundësi dhe nuk ia jep një tjetri që ëndërron ta ketë?!”.

SI DUHET TË JETË LETËRSIA SOT

Unë nuk kam dhënë kurrë këshilla, as fëmijëve të mi, por njeriu duhet të di të përzgjedhë. E gjithë kjo ‘diarre’, që duket nga të gjitha anët, nuk është normale. I thashë një mikut tim që donte t’i botonte një libër djalit 20 vjeç, se është si ta martosh para kohe. Nuk duhet mësuar t’i ketë gjërat gati. Lëre të piqet, të ketë mundimin që ka njeriu kur shkon te botuesi. Duhet të provojë ndjesinë e aprovimit të tij. Prindërit nuk duhet ta shtyjnë fëmijën, as ta detyrojnë dhe as të mos fyhen pastaj kur dikush nuk shpreh entuziazëm për atë që bën. Ndoshta edhe ka të drejtë që fyhet, sepse ai mendon se kushedi ç’është duke bërë… Ambicie le të kenë, le të ecin përpara, por të kalojnë disa sprova.

Burimi: http://www.panorama.com.al/nga-femijeria-pengjet-dhe-sakrificat-helena-po-te-isha-burre-do-te-ishte-ndryshe-por-kadare-vlen-me-shume-se-gjithcka/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *