Shkrimtar i letërsisë së vjetër shqiptare, klerik i lartë katolik, veprimtar i lëvizjes çlirimtare kundërosmane.
Lindi në Gur të Bardhë të Matit. Si autodidakt, arriti të pajisej me një kulturë të mirë për kohën e tij.
Bëhet fjalë për Pjetër Budin (1566-1622).
U shugurua meshtar qysh në moshë të re dhe shërbeu për shumë vjet si famulltar në kishat katolike të Kosovës dhe të Maqedonisë. Për aftësinë e tij u emërua Vikar i përgjithshëm i kishës katolike në trevat ku shërbente. Dëshira për liri dhe urrejtja kundër pushtuesve osmanë e nxitën që të punonte shumë për organizimin e kryengritjes popullore kundër pushtimit osman, por pa ia arritur dot qëllimit. Më 1615 shkoi në Romë për t’u interesuar për botimin e veprave të tij si dhe për çështjen e kryengritjes kundër Turqve. Në një kohë të vështirë, në korrik të vitit 1621 u emërua peshkop i Sapës dhe i Sardës (Zadrimë) dhe në fillim të vitit 1622 nisi punën në këtë detyrë të re. Më 1618 u botua në Romë vepra e tij e parë “Doktrina e kërshtenë” dhe më 1621 edhe dy vepra të tjera: “Pasqyra e të rrëfyemit” dhe “Rituali Roman”. Këto vepra prej rreth 1000 faqesh synonin t’u vinin në ndihmë besimtarëve dhe klerit katolik shqiptar. Për hartimin e veprave të tij Budi u mbështet në tekste fetare të botuara në Itali. Por ato, sidomos “Doktrina e Kërshtenë” dhe “Pasqyra e Rrëfyemit”, nuk janë përkthime të thjeshta, por më fort përshtatje me shtojca të shumta nga vetë Budi. Në “Doktrinën e Kërshtenë” ka përfshirë edhe një varg vjershash fetare (mbi 3000), që pjesërisht i kishte të shkruara nga një farë frat Pali prej Hasi. Po kështu, në fund të veprës “Pasqyra e të rrëfyemit” Budi ka shkruar një letër-mesazh të gjatë (rreth 70 faqe) drejtuar besimtarëve katolikë shqiptarë me këshilla dhe porosi të shumta. Aty autori ankohet, ndër të tjera, edhe për gjendjen e vështirë të vendit, për mungesën e shkollave, për plogështinë e një pjese të klerit. Nga tri veprat e Budit më shumë jehonë ka pasur “Doktrina e Kërshtenë”, e cila është ribotuar edhe tri herë të tjera (më 1636, 1664 dhe 1868). Budi ka përdorur një alfabet të ngjashëm me atë të Buzukut (me pak ndryshime). Ashtu si Buzuku ai i dallon zanoret e gjata nëpërmjet dyfishimit të shkronjave përkatëse. E kjo dëshmon për një traditë shkrimi relativisht të vjetër ndër Shqiptarët. Budi ka përdorur me kujdes gjuhën popullore, duke e pasuruar atë edhe me fjalë të reja. Në veprën e Budit u gjallërua më tej tradita kulturore shqiptare, që e vazhdon më pas Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi etj. U mbyt në Drin, në rrethana të paqarta, gjatë kalimit të lumit. Albanologu danes G. Svane ka transkriptuar të gjitha veprat e Budit dhe ka përgatitur konkordancat e fjalorit të këtyre veprave, të cilat janë botuar në formë dispensash nga Universiteti i Aarhusit më 1985-1986. R. Ismajli ka botuar poezitë e Budit me një studim hyrës, transliterim, komente (1986).