Aktorja dhe prodhuesja e filmave Angelina Jolie njihet si një kampione që ngre zërin e saj ndaj çështjeve për të drejtat e njeriut në botë. Projekti i saj i fundit “The Breadwinner” tregon historinë e një vajze afgane 11-vjeçare të quajtur Parvana, e cila vishet si djalë për të ushqyer familjen e saj në Afganistan, nën kontrollin e Talebanëve, ku nuk lejohet që femrat të punojnë ose të ndjekin shkollën. Jolie ndan mendimet e saj mbi të drejtat e grave sot dhe përgjegjësitë tona ndaj njëri-tjetrit dhe mjedisit që na rrethon, në 150-vjetorin e themelimit të revistës Harper’s Bazaar.
“Kur m’u kërkua që të shkruaja për këtë edicion special të përvjetorit të Bazaar, imagjinova një lexuese të kësaj reviste 150 vite më parë, në vitin 1867. Në qoftë se ajo do të ishte në gjendje të na shihte ne, gratë e sotme, çfarë do të kishte bërë me ne? Bazaar u publikua për herë të parë në Amerikë vetëm dy vite pas përfundimit të Luftës Civile dhe heqjes së skllavërisë. Ishte një botë pa makina, pa antibiotikë ose energji elektrike. Pjesa më e madhe e njerëzve vdisnin rreth të 50-ave dhe gratë gjatë lindjes së fëmijëve.
Si grua, në pjesën më të madhe të shekullit të 19-të në vendet perëndimore nuk mund të ndiqje universitetin apo të kishe mundësinë për të patur profesione si mjekësia, shkenca dhe ligji. Nuk mund të votoje dhe nuk mund ta fitoje këtë të drejtë në shumë vende për më tepër se gjysmë shekulli. Prandaj imagjinoj se në qoftë se lexuesja e atëhershme e Bazaar do të na shihte tani, do të mahnitej! E që atëherë, meqë kishte diskutuar gjatë për të drejtat e grave gjatë gjithë jetës së saj, tani do të ishte mirënjohëse.
Gjithashtu pyes veten se çfarë do të bënte një grua e shekullit të 19-të për pabarazinë që ekziston ende mes dhjetëra miliona grave dhe vajzave në të gjithë botën- si ato që u duhet të punojnë në vend që të shkojnë në shkollë për të mbështetur familjet e tyre, si personazhi i Parvana-s në filmin e animuar “The Breadwinner”. Ose gratë që vdesin në një moshë të re sepse kanë pak ose aspak përkujdesje shëndetësore. A do të mendonte ajo se kemi bërë mjaftueshëm për to?
Gruaja më e bukur dhe rezistente që kam takuar ishte një refugjate e re afgane në një kamp të braktisur në kufi me Pakistanin. Ajo ishte shtatzënë dhe burri i saj kishte dalë të gjente punë për t’u kujdesur për të. Ajo ishte e detyruar të mbulohej nga streha e baltës përreth saj, e megjithatë po e priste aty, ata nuk kishin mënyrë tjetër për të gjetur njëri-tjetrin. Ajo nuk kishte as çati as ndonjë spital aty pranë. Më ofroi çaj. Ajo më pyeti për familjen dhe vendin tim. Kur u ofrova ta ndihmoja në çfarëdo mënyre që do të mundja, ajo më tha se nuk mund të kërkonte më tepër se një vizitë e një bisedë. Ishte bujare, dinjitoze, dhe sytë e saj kishin një qartësi të madhe. Ndonjëherë, kur kam kaluar një ditë të vështirë, shoh buzëqeshjen e saj, mënyrën se si mbante trupin, sikur do të jepte gjithë forcën e mbetur për fëmijën e saj. Dy javë pasi u takuam ishte 11 shtator. Me gjithë ato që kishin ndodhur në Afganistan, nuk e imagjinoj sot se si ja ka dalë. A u kthye burri i saj përpara se të shkatërrohej kampi? E lindi fëmijën atje, apo e kanë detyruar të largohet? A është ajo tani e ulur në një çadër, diku në kufi me fëmijën e saj, i cili tashmë duhet të jetë adoleshent?
Kam lexuar së fundmi se Forumi Ekonomik Botëror ka parashikuar se do të duhen 83 vjet për të mbushur gjithë boshllëqet në të drejtat dhe mundësitë midis grave dhe burrave në të gjitha vendet. Kjo nuk ka të bëjë me progresionin për gratë në kurriz të burrave, por për të gjetur një ekuilibër të barabartë për përfitimet e të gjithëve. 83 vjet duken të gjata për shpresat apo imaginatën e çdo burri ose gruaje.
Nëna ime, e cila ishte pjesë e indianëve irokitë nga ana e të atit, më ka mësuar shprehjen irokite se ne duhet të marrim në konsideratë se vendimet tona kanë ndikim në shtatë brezat e ardhshëm. Është e vështirë për ne që jemi kaq të zhytur në mendime, me gjithë presionin që kemi në jetën tonë, por mua më duket një aspiratë e bukur.
Prandaj, kushdo që të jeni kur të lexoni këtë- doktor, avokat, shkencëtar, aktivist për të drejtat e njeriut, student, mësues, nënë, grua, djalë ose vajzë që kaloni nëpër kopjen e nënës suaj- shpresoj se do të bashkoheni me mua e të merrni pak nga koha juaj sot që të mendoni se si të gjithë ne do të mund të kontribuojmë për të bërë një të ardhme më të mirë.
Ka shumë gjëra të cilat ne nuk mund t’i parashikojmë rreth botës 150 vjet nga tani. Por, ne dimë se stërnipërit e stërmbesat tona do të jetojnë me pasojat e vendimeve që ne do të marrim tani, ashtu siç mund të gjejmë origjinën e problemeve me të cilat hasemi sot në lidhje me rrënjët e tyre shekuj më parë.
Për shembull, në filim të shekullit të 19-të, çmenduria për fildish dhe produkte të realizuara prej kafshëve të egra në disa vende ka shkatërruar mjedisin. Aty ku miliona elefantë, luanë e specie të tjera endeshin në kontinentin Afrikan, sot janë popullata të vogla e të shpërndara që vuajnë gjuetinë e pamëshirshme dhe zgjerimin e tokës bujqësore duke reduktuar habitatin e tyre natyror.
Këto foto janë realizuar në një rezervë natyrore në shkretëtirën e Namibisë në Namib. Kjo rezervë mirëmbahet nga Fondacioni N/a’an ku sê i cili udhëhiqet nga miqtë e mi Marlice dhe Rudie van Vuuren. Vajza jonë Shiloh ka lindur në Namibi dhe familja jonë ka punuar me Marlice dhe Rudie në konservimin e këtij vendi gjatë dekadës së fundit. Për mua, Namibia përfaqëson jo vetëm lidhjet e familjes dhe miqësisë, por edhe përpjekjet për të ekulibruar njerëzit dhe mjedisin kaq thelbësor për të ardhmen tonë.
Fondacioni N/a’an ku sê punon me njerëzit nga San i Namibisë të cilët konsiderohen si kultura më e vjetër në botë. Ata përfaqësojnë mijëra vjet të bashkëjetesës harmonike të njeriut dhe kafshës së egër, por kanë vuajtur, ashtu si popujt e tjerë indigjenë të detyruar të lënë tokat bujqësore, zhvillimi i pakontrolluar apo zhdukja e kafshëve të egra. Shkatërrimi i habitatit natyror dhe kafshëve të egra e ka lënë popullin e San të paaftë për të ndjekur e mbështetur familjet e tyre.
E njëjta gjë ndodh në mbarë globin- në Afrikë, në Amerikën Latine, në Azi dhe në Oqeanin Paqësor- dhe shpesh gratë janë ato më të prekurat. Gratë përbëjnë shumicën e shtresës së varfër në botë. Shpesh, bie mbi to barra e të siguruarit ushqim, ujë dhe gas për të gatuar për familjet e tyre. Kur dëmtohet mjedisi, për shembull kur shkatërrohen rezervat e peshkimit, gjahtarët pa leje vrasin kafshët e egra ose kërcënojnë pyjet tropikale- kjo thellon varfërinë e tyre. Arsimi dhe shëndeti i grave janë të parat që e vuajnë. Mjedisi është gjithashtu një faktor vendimtar në stabilitetin e ardhshëm global, me 21.5 milionë njerëz të zhvendosur në mbarë botën nga ndryshimet klimatike çdo vit, si pjesë e më shumë se 65 milionë njerëzve të zhvendosur në total.
N / a’an ku sê punon për të ruajtur habitatin natyror dhe për të mbrojtur speciet e rrezikuara, siç janë elefantët, rinocerontët dhe gatopardët, si ato të paraqitura në foto në këtë histori. Për herë të parë i kam hasur në vitin 2015, kur ishin këlyshë të vegjël dhe familja jonë i sponsorizonte. Ata ishin jetimë dhe pothuajse vdiqën. Ata u ushqyen dhe janë përsëri të shëndetshëm, por nuk mund të kthehen më në kafshë të egra, pasi njerëzit kanë humbur frikën ndaj tyre dhe ata mund të vriten nëse kalojnë në tokë bujqësore. Me numrin e gatopardëve që ka rënë në më pak se 7,100 në mbarë botën, misioni është që të shpëtohet çdo kafshë e mundshme.
Gatopardët nuk janë as kafshë të egra e as shtëpiake. Ata na frymëzojnë për të ndihmuar në mbrojtjen e këtyre krijesave unike, krijesa madhështore në toka të egra, si një nga hapat e shumtë për të mbrojtur mjedisin për brezat e ardhshëm.
Secili nga ne ka fuqinë për të ndikuar nëpërmjet zgjedhjeve tona të përditshme. Për shembull, ne mund të angazhohemi që të mos blejmë kurrë produkte të paligjshme të kafshëve të egra si fildishi ose briri i rinocerontit.
Moda ishte dikur një nga faktorët kryesorë në nxitjen e kërkesës për rroba, bizhuteri dhe objekte të bëra me pjesët e kafshëve të egra. Por revistat tani mund të dërgojnë një mesazh tjetër: se kafshët e egra i përkasin botës së egër dhe se fildishi nuk është i bukur, përveçse në dhembin e një kafshe të gjallë.
Ajo që bëjmë, secili në mënyrën tonë të vogël, ka rëndësi. Mendimi shpresëdhënës është në duart tona. Gjatë 150 viteve të ardhshme, teknologjia do të na japë më shumë mënyra edhe më të mira për të komunikuar, duke luftuar varfërinë, duke mbrojtur të drejtat e njeriut dhe duke u kujdesur për mjedisin. Por është ajo që ne zgjedhim të bëjmë me lirinë që kemi, ajo që do të bëjë gjithë diferencën. Nëse përvoja ime e jetës më ka mësuar diçka, është ajo për të cilën ju mbani një qëndrim dhe ajo që ju vendosni të kundërshtoni që përbën atë që ju përcakton. Vendasit në San thonë, “Ju nuk jeni kurrë të humbur nëse mund të shihni rrugën tuaj në horizont.”/Përshtati: Tea Kola/http://bordo.al