Tre vjet pas “Paddington”, filmit kampion të arkëtimeve në Angli, kandidatit të dy çmimeve BAFTA, arushi që mban emrin e një prej stacioneve më të njohura londineze kthehet në kinema me një aventurë të re “Paddington 2” që fillon projeksionet shqiptare më 7 dhjetor në kinema Millennium.
Personazhi i krijuar nga shkrimtari anglez Michael Bond dhe është protagonist i librit të titulluar “A Bear Called Paddington”, publikuar në 1958 për të dytën herë është edhe protagonisti filmit, drejtuar sërish nga regjisori Paul King.
Në rolet kryesore interpretojnë Ben Whishaw, Hugh Grant, Brendan Gleeson, Jim Broadbent, Peter Capaldi, Julie Walters, Sally Hawkin dhe Hugh Bonneville.
Aktori i njohur Hugh Grant interpreton karakterin e Phoenix Buchanan, një aktor në rënie e në krah të tij kanë rimarrë rolet e tyre edhe Hugh Bonneville, Sally Hawkins, Julie Walters e Jim Broadbent. Hyrje e re në kastin e aktorëve është Brendan Gleeson, e cila do të ndihmojë arushin në gjetjen e librit të vjedhur. Historia e këtij kapitulli të ri aventurash e sjell Paddington, tashmë të lumtur në gjirin e familjes Brown dhe mjaft të njohur në komunitetin e tij, teksa përpiqet që të gjejë një punë për të siguruar para për një dhuratë të përsosur për 100 -vjetorin e teto Lucy, një dhuratë që do të vidhet nga një njeri i mistershëm.
Regjisori Paul King preferoi të hiqte dorë nga drejtimi i “Wonder” (2017) për të realizuar kapitullin e dytë të filmit. Dhe një detaj tjetër në këtë film është se një pjesë e mirë e aktorëve kanë luajtur në sagën e famshme të Harry Potter, një arsye më shumë për fansat që t’i ndjekin në rolet më të fundit të karrierës aktorët Michael Gambon, Brendan Gleeson, Jim Broadbent, Julie Walters Jessica Hynes dhe Imelda Staunton.
Para se të shfaqej në kinema me zërin e Ben Whishaw arushi Paddington ka qenë protagonist edhe i tre serive televizive. “Paddington 2” është një komedi dhe aventurë aksion që ka një pritshmëri mjaft të lartë në arkëtime nisur edhe nga kapitulli i parë . “Paddington” është një nga filmat e pavarur më të arkëtuar të të gjitha kohërave në Britaninë e Madhe për vitin 2014, dhe I pari film familjar në 10 vite që është nominuar për “Best British Film” në çmimet Bafta. Ndërkohë që kritika ka thënë fjalët e saj më të mira edhe për realizimin e filmit “Paddington 2” duke e vlerësuar maksimalisht në tërësinë e tij të gjithë filmin.
Lajmi për realizimin e filmit të dytë iu tregua krijuesit të librave të Paddington, Michael Bond, në 90-vjetorin e tij të lindjes. Libri i tij i fundit u publikua në prill 2017 ndërsa në totalin e tyre librat e Paddington kanë shitur më shumë se 35 milionë kopje në mbarë botën. Bond ndërroi jetë 6 muaj para publikimit të filmit. Saktësisht krijuesi i arushit të famshëm mbylli sytë një ditë para përfundimit të xhirimeve të “Paddington 2” (2017).
“Paddington 2” do të ndajë projeksionet me dy filma të tjerë mjaft të pëlqyer nga publiku shqiptar, si komedia e duartrokitur “Daddy’s home 2” dhe drama mjaft e vlerësuar nga kritika, “Wonder”.