Emrin e saj e njohim të gjithë… Për disa vite ka qenë shoqëruesja jonë e mëngjesit me programe si “Agon” në “Albanian Screen” e “Dita Ime” në “Vizion Plus”. Lori Haxhiu, vajza simpatike e ekranit, e cila ka drejtuar edhe formate të tjera të suksesshme, është emëruar prej disa javësh Drejtore e Përgjitshme e Shërbimit Kombëtar Rinisë, institucion që prej këtij mandati qeverisës është në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Rinisë. “Java e Rinisë” që lamë pas, ishte ajo që na njohu me drejtoreshën e re të rinisë, e cila prezantoi në media kalendarin e ngjeshur me 32 aktivitete në të gjithë Shqipërinë, ku pati pjesëmarrje të gjerë të të rinjve. Por jo vetëm kaq, për Lorin dëgjuam të flitej nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla në takimin që ekipi i ministrisë që ajo drejton dhe Kryeministri i vendit patën me studentët e ekselencës. Nikolla vlerësoi angazhimin e Haxhiut si një prej studenteve të ekselencës, e cila me përkushtim arriti të organizojë një javë të mbushur plot me aktivitete për rininë shqiptare. “Shqipëria Rinon” ishte sfida e parë për Lorin në krye të SHKR dhe mesa duket e ka kaluar me sukses, por të tjera sfida e presin në të ardhmen. / revistawho.com