Një rrëfim plot të vërteta nga Mira Kazhani: Fjalimi që nuk do doja të mbaja kurrë

Nga Mira Kazhani ( Titulli në origjinal; Fjalimi që nuk do doja të mbaja kurrë)

Sot duhet të mbaja një fjalim se si të bëhesh e suksesshme si unë! Ftesa nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve m’u duk e sinqertë por jo fort realiste. Tipike me kodin e Rilindjes, që janë tërë zjarr e sukses! Lorin, vajzën që drejtonte javën e rinisë, e njoh nga koha e “Vizion Plus”. U përpoqa t’i sqaroja në telefon se nëse donte që të kishte sukses, duhej të ftonte personazhe vërtet të suksesshëm. Të rinj, si Luana Vjollca, Ledion Liço, Lori Hoxha, Armina Mevlani… Apo nëse e donte më elitarë, të ftonte profesor Artan Fugën. Unë nuk kam fansa dhe ndjekës nga ata që të vijnë të luten t’u reklamosh edhe makaronat. Pranova dhe në shenjë proteste shkova.

Muzeu Kombëtar, Salla Unesco, ora 18:00!

Mirmbrëma!

Nga të gjithë ata që folën sot dhe erdhën si shembull suksesi, si Denisa, Emiliano, Renato dhe të tjerët, unë jam e vetmja që nuk di për çfarë suksesi të flas. Unë jam gazetare. Nuk e di sinqerisht sa e suksesshme është të jesh sot gazetar. Kur jemi përhapur si milingona, nga nuk dalim dhe më shumë kemi bashkëfajësi sesa suksese. I thashë Lorit, kur më telefonoi të shtunën, se nuk i duhesha unë për këtë aktivitet. Çfarë do gjejnë në punën time të rinjtë që duan të arrijnë sukses në jetë? Ju them me zemër se unë i kam rënë shumë gjatë dhe nuk ia vlen të ndiqni rrugën time. Unë nuk kam as fansa, as shumë ndjekës dhe madje e vetmja gjë që kam mësuar është se kur je i ri nuk kupton hiç nga sakrificat. Futesh në ëndrrën tënde herë si dele, herë si pasionant/pasionante dhe kur realizon ëndrrën nis sakrifica e vërtetë. Është një konkluzion jetësor, që dua ta ndaj sot sinqerisht me ju. Nëse ndonjëri s’e ka vëmendjen, aq më mirë për mua, se dua të them disa gjëra që s’i kam shkruar tek Tiranapost gjatë 1 viti.

Unë e kam quajtur sukses shpesh edhe kur thjesht kam arritur të marr rrogën në fund të muajit, edhe kur kam ngelur pa punë dhe ia kam dalë të gjej sërish shpejt një tjetër. Kam ngelur shpesh pa punë. Jo më larg se një vit e gjysmë përpara, kur Top Channel vendosi që në mëngjes mos të kishte një femër (duhet të thoja grua). Dhe kështu mëngjeset përfunduan të gjithë me burra. Ka lezet kur zgjohesh dhe sheh tërë ata burra me të cilët ti nis ditën…

Jam me fat ose çështje karakteri, por gjithmonë pas një të keqeje më është hapur një portë më e madhe. Dhe meqë doni një gjë që e quaj të mirë në punën time, ishte pikërisht kur u largova nga “Vizion Plus”, se merrja rrogën me vonesë, jo ndonjë kushedi se çfarë. Ndonjëherë bëheshin tre muaj. Madje, kur bëja rubrikën “Lunch” (ka qenë një rubrikë interesante) nuk kisha më shumë se 5 mijë lekë në kuletë dhe një shkrimtare e njohur porosiste dhe s’pushonte. Një kapuçino, një braun, pastaj prapë një akullore dhe unë vrisja mendjen si do ta paguaja faturën. Tmerr! Edhe pas Vizionit, doja të thoja se vendosa të largohem dhe takova rastësisht në rrugë Adrian Thanon, drejtues i gazetës “Dita”. Nuk besoj ta njihni, se e ndjekin shumë pensionistët dhe aty e pranoj krijova aq shumë fansa pensionistë, por tek “Dita” është periudha ime e mirë, që më bën krenare. Cikli i intervistave të dosjes “Hajdari” u bë aty dhe fiks kur mendova se ngela pa punë. Kështu ndodhi dhe me “Top Channel”, kur nuk dija se ç’do bëja me jetën time. Hapa Tiranapost! Por prej një viti jam përballur veçanërisht me një faqe anonime, që quhet “Lolita”. Unë nuk jam aktive në Facebook dhe nuk e dija kush qe. Dija vetëm që më shanin për çdo gjë. Lexoja screenshot që o Zot! Ç’nuk kam lëpirë gjatë këtij viti! (Gjithmonë sipas faqes). Një ditë, vendosa ta shoh çfarë ishte kjo faqja, që më bënte leksione mua si duhet të bëja gazetari. Kë të lëpija e kë jo. E hapa. Kishte sigurisht shumë, shumë fansa edhe ajo. Në mos gaboj, diçka tek 300 mijë. U futa të shoh dhe gjeta barsoleta të tipit laçiani, dibrani, kuksiani, burri i martuar dhe sidomos penisi. Unë po përdor termin shkencor se aty ishte troç. Kështu, një faqe që sillej rreth penisit tërë ditën, më jepte mend mua. U tëhoqa! Nuk u mërzita!

Por nuk janë kapur me mua vetëm gra, por edhe burra.

Dikur, Mustafa Nano, më ka bërë një shkrim, ku më merrte erzin për një titull. Jo më larg se para disa kohëve profesor Artan Fuga, që besoj ju të gjithë e doni dhe jeni fansa të tij, m’u vërsul për një shkrim, për të cilin besoj se kisha të drejtë. Kishte të bënte me çadrën e para fushatës dhe tani profesor Fuga vetë është po aq kundër, por atëherë m’u përgjigj rëndë. Në Facebook mbrojtën të gjithë atë (Çne mua? U bë kjo!), se siç thoshte ai vetë: unë kam fansa. Ngado që shkoj nuk më lënë as të paguaj kafen. Në fakt, e vërtetë ishte! Ai ka fansa, unë jo! Mua as meshkujt nuk më paguajnë më kafen. Iu dukem e pavarur ose e suksesshme. Ky është një fjalim që nuk do doja ta mbaja kurrë! Por ju shihni e bëni. Unë nuk ua këshilloj rrugën time. Është e gjatë. Unë bëj punën që dua. Jo gjithmonë shkruaj atë që mendoj. Ka njerëz e rrethana për të cilat e tkurr penën, sepse jetoj në Tiranë dhe nuk më pëlqen të prishem me njerëzit, të mbjell konflikte e të mos përshëndetem në rrugë. Ndaj them, s’e di sa mund të rrinë bashkë sot gazetari me suksesin. Boh, nuk i lidh dot! Ju jeni të rinj. Jetoni rininë tuaj, gabimet… Sepse, në fund, si ta bësh mirë, si keq, gjendet gjithmonë një që do të të shajë pa të drejtë!

Jam shumë e lumtur që erdha sot dhe fola me ju. Pashë njerëz! Ngelëm pas asaj dritares së vogël online.

Bëfshi qejf, sa nuk i keni realizuar ëndrrat!/Tiranapost.al<

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *