Fotot e përmbytjeve në autostradën Tiranë-Durrës dhe gjithë vendin

Reshjet e shumta kanë dëmtuar segmentin Durrës-Tiranë duke e lënë atë të paralizuar që prej pasdites së djeshme.

Përmbytja masive që vërshoi në autostradë, biznese dhe banesa duket se ka ngjallur një situatë apokaliptike.

Raportohet se Policia e Shtetit  Emergjencat Civile, Ushtria, Zjarrëfikësit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, Operatori i Shpërndarjes kanë punuar intensivisht për të menaxhuar problemet e krijuara nga reshjet e dendura.

EC: SITUATA DHE MASAT PER PERMBYTJET – Ora 09:00

Reshjet e 24 orëve të fundit kanë shkaktuar probleme në disa qarqe te vendit.

Drejtoria e Emergjencave Civile po ndjek nga afër situatën. Në terren për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet janë angazhuar forca të Policisë së Shtetit, Zjarrfikësve dhe Ushtrisë.

Emergjencat Civile i bën edhe një herë thirrje të gjithë qytetarëve që në rast rreziku të telefonojnë në numrat 112, 128 dhe 129.

Të gjitha Repartet e FNSH, Tiranë, Shkodër e Fier janë angazhuar në mbështetje të Policive lokale për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.

Policia Rrugore është 100% në rrugë në të gjitha akset rrugore.

Policia e Rendit ka shtuar patrullat të cilat janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast nevoje.

QARKU TIRANË

Aksi rrugor Tiranë-Durrës, në Kashar, në afërsi të qendrës tregtare “City Park” është bllokuar nga prezenca e ujit. Në vendngjarje ka shkuar policia rrugore, Tiranë për zhbllokimin e trafikut dhe 3 automjete zjarrfikëse me 3 motopompa për largimin e ujit. Në ndihmë kanë shkuar edhe 20 forca të ushtrisë me motobarka, 12 forca të ushtrisë me 4 pompa thithëse me kapacitet të lartë, 10 forca të FNSH-së nga Reparti 731, Shkodër të cilët kanë evakuuar rreth 200 persona.

Në qendrën tregtare “City Park” ndodheshin rreth 100 persona të cilët ishin bllokuar nga prezenca e ujit të cilët kanë evakuuar.

Në fshatin Marikaj, tek Liqeni Marikaj, niveli i ujit ka arritur kuotën maksimale dhe diga nuk funksionon. Për këtë janë dërguar 3 mjete të transportit të rëndë, 1 ekskavator, 2 grupe me 20 ushtarë dhe 3000 deri në 5000 thasë plastikë me rërë.

Në fshatin Laknas janë evakuuar disa banorëve pasi ka prezencë uji

Në fshatin Valias, për shkak të reshjeve të dendura është rrezikuar të përmbytet N/Stacionit Valias.
Në Tiranë probleme me furnizimin me energji elektrike ka pasur në Sauk, Paskuqan, Ibë, Zall-Bastar, Pezë, Shkallë, Mullet, Pezë Helmes, Shenmeri, Prezë, Tufinë, Gjokaj, Ndroq, Mëzez, Valias, Paskuqa, Kombinat.

QARKU SHKODËR

Në Njësi Administrative Guri i Zi, në fshatin Rrencë ka prezencë uji në rreth 40 ha tokë, e cila është e pakultivuar.

Në Njësi Administrative Dajç, në kënetë ka prezencë uji rreth 80 ha tokë.

Në Njësi Administrative Ana e Malit, në vendit e quajtur “Fusha e Muriqanit” ka prezencë uji në rreth 50 ha tokë.

Në fshatin Bardhaj, në afërsi të lumit Kir, forcat e FNSH Shkodër kanë evakuuar dy persona, të cilëve i rrezikohej jeta.

Në Fushë-Arrëz çatia e shkollës 9-vjeçare dhe shkollës së mesme, të cilat ndodhen në të njëjtën ndërtesë, është dëmtuar për shkak të erës së fortë.

Çatia e Qendrës Shëndetësore të qytetit të Pukës, është dëmtuar.

Në Bashkinë e Vaut të Dejës rrezikohet të dalin nga shtrati dy përrenj, përkatësisht i Glinës dhe i Tamzit, të cilët mund të përmbytin dy banesa.

Bashkia ka marrë masa duke dislokuar dy mjete për të parandaluar daljen nga shtrati të përrenjve.

Në qarkun e Shkodrës të bllokuar janë Akset rrugore Shkodër – Theth, në vendin e quajtur Qafë Thore ndërsa aksi Shkodër – Breg Lumi, në vendin e quajtur “Mali i Shoshit” është i kalueshëm me zinxhirë.

Probleme me energjinë elektrike ka pasur në disa Njësi Administrative si: Bërdicë, Postribë, Dajç, Velipojë, Shalë, Ana e Malit, Pult, Kelmend, Kastrat, Shkrel, Gruemirë, Bushat, Shllak, Qerret dhe Qelëz. Një pjesë e qytetit të Pukës nuk ka furnizim me energji elektrike. Grupet e punës të OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.

QARKU DIBËR

Në Njësinë Administrative Arras, nga prurjet e mëdha të Lumit të Setës, rrezikohen dy banesa dhe një aktivitet biznesi. Nga ana e bashkisë është dërguar në vendngjarje një mjet tip fadromë dhe janë marrë masa për të evidentuar çdo rrezik.

Në Njësinë Administrative Komsi, fshati Komsi, nga prurjet e përroit të Frankthit, rrezikohen dy banesa.

Në Njësinë Administrative Xibër, fshati Shkallë, rrezikohen disa banesa, të cilat ndodhen rreth përroit në këtë fshat.

Edhe në qarkun e Dibrës si pasojë e motit të keq disa Njësi Administrative kanë pasur probleme me furnizimin me energji elektrike si Martanesh, Ostren, Fushë-Bulqizë, Komsi, Martanesh. Ostren, Fushë-Bulqizë dhe Komsi.
Grupet e punës të OSSHE po punojnë për riparimin e defekteve.

QARKU GJIROKASTËR

Në vendin e quajtur ish tregu i shumicës fruta perime, janë evakuuar 7 familje rome, të cilat u rrezikuan nga ujërat e përroit të lagjes “Zinxhira”.

Aksi rrugor Ura e Lumit Drino Gjirokastër –Lunxhëri në vendin e quajtur Ura e Haznakut, është bllokuar.

Aksi Tepelenë-Gjirokastër është bllokuar.

Në liqenin e Viroit ka rënë muri anësor mbrojtës i rrugës nacionale.

Në Dropullin e Sipërm rrezikohen 400 kokë bagëti nga prezenca e ujit.

Në Gjirokastër paraqitet gjendja kritike.

Probleme me furnizimin me energji elektrike në qarkun e Gjirokastrës ka pasur në Njësitë Administrative Memaliaj Fshat, Luftinj, Buz, Lazarat, Lunxhëri, Çarçovë, Zagorie dhe Frashër.

QARKU DURRËS

Në zonën e Kënetës, janë evakuuar 4 familje pasi kanë pasur prezencë uji në banesa.

Aksi rrugor Durrës – Plepa, në vendin e quajtur “Ura e Golemit”, është bllokuar nga prezenca e ujit. Zjarrfikëset ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për larguar ujin.

Në fshati Derven, 4 banesa ka prezencë uju pasi ka vërshuar lumi Ishëm. Forcat e Armatosura kanë bërë evakuimin e këtyre familjeve.

Fushë-Krujë, janë evakuuar 14 familje, pasi kanë prezencë uji në banesë ndërkohë ka dal nga shtrati lumi Zezë.

Aksi rrugor Fushë-Krujë – Laç, është i bllokuar.

QARKU LEZHË

Aksi rrugor Lurë – Kurbnesh – Rrëshen, është bllokuar. Një fugon me 10 pasagjerë nuk ka mundur të udhëtojë në këtë aks dhe janë strehuar në fshatin Mërkurth.

Ura mbi Lumin Droj në afërsi të Mamurrasit është shembur. Policia ka shkuar në vendngjarje.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *