Nga Skënder Minxhozi
Situata në Himarë i ngjan një panairi tipik “skizofrenie ballkanike”. Gjen aty gjithçka: plane urbanizimi, shembje ndëtimesh të paligjshme, deklarata patriotiko-politike minoritarësh apo të vetëquajtur të tillë, lojra diplomatike fqinjësh “në një shami hunde”, banorë të yshtur nga të katër anët për të protestuar kundër një projekti që kërkon t’i japë fund gjysëm-fshatit të sotëm, politikanë të huaj që flasin në emër të shqiptarëve dhe politikanë shqiptarë që hiqen si të huaj e bërtasin në emër të fqinjëve. Gjen nga të gjitha. Sepse Himara ka qenë dhe mbetet një laborator i papërsëritshëm i testimit të disa fenomeneve njëherësh: i paaftësisë sonë për të bërë dhe për të imponuar shtetin e së drejtës, i trukeve të përjetshme greke për të mbajtur një vatër të përhershme tensioni në Jug të Shqipërisë, i përdorimit të banorëve lokalë për skema gjeopolitikie bizantine, pa harruar edhe dyfytyrësinë e politikës shqiptare në Tiranë, e cila s’e ka parë thuajse kurrë këtë dosje, si një çeshtje të madhe të sovranitetit tonë si shtet, por vetëm si një plaçkë politiko-elektorale që shitej e blihej sa majtas aq edhe djathtas.
Letra e fundit që kreu i opozitës greke i dërgoi Brukselit, ku ankohej për projektet e qeverisë Rama për Himarën, apo deklaratat idiote të Agimit të Artë, na kujtojnë edhe një herë tjetër, nëse kishte nevojë, që mes dy vendeve ka një ligj arkaik lufte. Por ka edhe shumë përplasje e fërkime, jo edhe aq arkaike, të cilat i bëjnë problematike marrëdhëniet dypalëshe. Marrëveshja detare, minoriteti, çamët…
Athina ka reklamuar historikisht interesin e saj të theksuar mbi Himarën dhe pjesët e tjera të territorit shtetëror shqiptar ku jetojnë pakica greqishtfolëse. Rregullisht e ka përdorur minoritetin grek në vendin tonë si një kartë presioni për të kushtëzuar ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe krijuar kaos të vërtetë në zonat minoritare sa herë ka pasur zgjedhje. Ka bërë gjithçka që në vendin e vet nuk e sheh të arsyeshme ta bëjë. Një vend që nuk njeh asnjë minoritet, ngre zërin prej dy dekadash e gjysëm në Këshillin e Europës e Bashkimin Europian, për shkeljen e të drejtave të minoriteteve në vendet rreth saj.
Aktualisht Athina po përpiqet të mbjellë tym dhe tension, ndaj disa lëvizjeve të Tiranës në fushën e politikave urbane dhe një ligji për pakicat kombëtare. Një ndërlidhje sa e sforcuar, aq edhe artificiale mes këtyre dy pistash, që në fakt nuk kanë asnjë afërsi mes tyre, tregon më së miri nervin e zbuluar të politikës greke ndaj qeverisë aktuale shqiptare. Një qeverie që sot përfaqëson një linjë qëndrimi të paprecedent ndaj dosjes greke.
Në katër vjet, pala greke pa të bien disa nga tabutë e mëdha që kanë mbajtur peng marrëdhëniet dypalëshe. E kjo për shkak të qeverisësve të rinj në Tiranës pas vitit 2013, të cilët kur ishin në opozitë rrëzuan marrëveshjen detare të qeverisë Berisha. Problemi i pronave të çamëve u përfshi në programin e qeverisë Rama, qëndrimi ndaj partive minoritare u zhvesh nga komplekset e vjetra, procesi i ndërtimit të varrezave greke u ngadalësua dhe partia kryesore çame, PDIU, mori vendin e PBDNJ në poltronin më të lartë të Kuvendit të Shqipërisë. Nuk ka asnjë dyshim se zëvendësimi i Vangjel Dules me Shpëtim Idrizin si dhe retorika e shtuar proçame e qeverisë shqiptare, ka shtuar edhe më tej ngarkesë emocionale negative në dy anët e kufirit.
Qëndrimi zyrtar grek pati madje edhe një lajthitje në kufinjtë e qesharakes së fundi, kur sulmoi ish-ministrin e brendshëm Tahiri për skandalin e Habiljave, një aferë me të cilën mund të ketë lidhje kushdo, përveçse një qeverie të huaj! Ky sulm i fundit i palës greke pasqyron një nivel të lartë padurimi dhe acarimi që Athina ka akumuluar ndaj Ramës dhe kabinetit të tij.
Paketa e çeshtjeve të pazgjidhura mes Shqipërisë dhe Greqisë, përfshirë ligjin e Luftës, pritet të jetë temë bisedimesh në Kretë, mes ministrave të jashtëm, pas pak ditësh. Dy delegacionet po i afrohen tryezës në një klimë problemesh të vjetra, mbarsur me retorikë të re. Greqia shpreson të vijojë të ushtrojë pozicionin e saj të forcës, si një vend që kontrollon ambicjet shqiptare për integrim europian përmes vetos në Bruksel, por ndodhet në një pozitë të ridimensionuar, sa i përket peshës që ka sot në Ballkan. Athina e di që e ka humbur patronatin e vjetër mbi fqinjin verior, por reflekset prej fuqie rajonale e bëjnë të vijojë linjën e ashpër ndaj vendeve të varfëra të gadishullit.
Nga ana e saj Tirana zyrtare duket e çliruar nga dozat e patriotizmit të sforcuar që i panë gjatë mandatit të parë të qeverisë Rama dhe përballet me palën greke më e hapur dhe më elastike në opsionet që mbron në tryezë. Gjithsesi është e vështirë të besohet se qëndrimi i Bushatit në Kretë sa i përket Himarës dhe ligjit të pakicave, do të spostohet nga pozitat zyrtare aktuale. Grekët mbajnë në këmbë një Ligj Lufte dhe kjo indirekt është alibia më e madhe për çdo qeveri shqiptare, në garën për të treguar se cila palë është realiste dhe cila jeton me kokën pas dhe me fantazmat e të shkuarës në sirtar. Për sa kohë që marrëzi e Luftës së Dytë Botërore të mos jetë shfuqizuar, çdo diplomat shqiptar mund të ndjehet mëse komod përballë homologut të tij grek!